Socialistët mbyllën mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa një vendim për kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut. Niko Peleshi shtyu mbledhjen pa një datë se kur do të rimblidhen, akt i cili u konsiderua nga PD si mbrojtje politike për zëvendëskryeministren.
Ditën e parë të punës si drejtues i SPAK Klodian Braho e kaloi në Kuvendin e Shqipërisë, jo si mesazh bashkëpunimi ndërinstitucional, por për të bindur deputetët për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.
Prania e drejtuesit të ri të SPAK duket se kishte emocionuar edhe Gardën e Republikës e cila i futi prokurët e posaçëm nga dera e emergjencës, shkruan A2.
Kaq ishte edhe prania vizive e drejtuesit të SPAK në Kuvendin e Shqipërisë pasi e gjithë mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u zhvillua me dyer të mbyllura. Pas pesë orësh Niko Peleshi ndërpreu mbledhjen për ta zhvilluar një ditë tjetër, por pa caktuar se kur.
Nëse socialistët preferuan të iknin pa thënë asnjë fjalë, demokratët kishin një qasje tjetër, duke dalë përpara kamerave dhe njoftuar se kishin aksesuar dosjen e plotë të provave.
“Të hënën depozitojmë firmat për ta mbledhur Këshillin e Mandateve. Nuk iu përgjigj Rama në telefon dhe e mbylli pa dhënë datë”, tha Bardhi.
PD-ja vijoi akuzat ndaj socialistëve duke nënvizuar se po zvarrisin një proces të cilin prokuroria e posaçme e konsideron urgjent: "Me procedurat e tyre kërkojnë ta zvarrisin deri në fund të shkurtit. Deri në fund të shkurtit Belinda ka ngrënë bakllavan, gjelin edhe provat bashkë me dëshmitarët".
Në deklaratën publike, Bardhi kërkoi nga socialistët që të zbatojnë të njëjtat standarde si me dosjet e shkuara, duke hedhur poshtë edhe alibinë e 10 mijë faqeve voluminoze: “Arben Ahmetaj ka qenë 15 mijë faqe dhe i lamë 48 orë kohë”.
Çështja e imunitetit të Belinda Ballukut tashmë është në dorë të vullnetit politik, ku deputetët kanë të drejtë edhe të shprehen kundër kërkesës së SPAK, gjë që do të shëntonte edhe precendin e parë kur maxhoranca mbron një nga radhët e saj nga drejtësia penale. (A2 Televizion)
Imuniteti i Ballukut, PS mban pezull SPAK, shtyn mbledhjen pa afat