Shqetësimit ndërkombëtar për aktet e deputetëve të opozitës në Kuvend me djegien e karrigeve, Gazment Bardhi iu përgjigj me të njëjtën gjuhë, shkruan A2 CNN. Në një postim në mediat sociale, kreu i grupit parlamentar të PD teksa konfirmon se aksioni i opozitës do të vijojë, informon ndërkombëtarët për situatën në Kuvend.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo qytetar i ndershëm në këtë vend, është thellësisht i shqetësuar për shkatërrimin e balancës mes pushteteve”. Sa i përket kërkesës për dialog me maxhorancën, Bardhi shprehet se “dialogu është mjet i duhur në vende demokratike”, duke shtuar se Shqipëria nuk është një vend i tillë.
“Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjësimin e çdo grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal”, përfundon Bardhi reagimin e tij. (A2 Televizion)