Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u tha eurodeputetëve në mbledhjen e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE) se fasade e ngritur nga qeveria përmes lobimit me miliona euro, nuk mund të fshehtë të vërtetën e asaj që po ndodh në Shqipëri.
“Pas gjashtë muajsh Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme. Kryeministri i korruptuar socialist, Rama, kërkon të mbajë pushtetin për një mandat të katërt, me çdo kusht, përmes blerjes së votave me paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe presionit të shtetit. Tre vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për PDSH-në, nën sulmet e vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama. Rama ka përdorur të gjitha mjetet, përfshirë drejtësinë e kapur politikisht për të rrënuar PDSH-në dhe opozitën dhe për ta nxjerrë jashtë sistemit politik”, tha Bylykbashi, shkruan A2 CNN.
“Ne e kuptojmë se ndonjëherë është e vështirë të kuptosh dhe të besosh atë që po ndodh në Shqipëri. Propaganda dhe lobimi i paguar me miliona euro nga korrupsioni, pikturojnë një fasadë vezulluese. Por, përtej lajmeve për lulëzimin e turizmit dhe gjesteve pompoze të kryeministrit Rama me liderët europianë, ekziston një realitet i ashpër i bashkëpunimit të pushtetit shtetëror, politikës dhe krimit të organizuar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese po injorohen hapur. Institucionet e pavarura kontrollohen nga shumica qeverisëse. Mediat kapen apo ushtrohet presion dhe ka raste kur gazetarë gjithashtu janë kontrolluar dhe arrestuar pa urdhër gjykate. Gjyqësori është nën kontrollin politik ndërsa ekonomia është e centralizuar në duart e miqve të kryeministrit dhe oligarkëve”.
Bylykbashi u kujtoi eurodeputetëve se kryetari i Partisë Demokratike është në arrest shtëpie, ndërsa së fundmi është burgosur edhe deputeti Ervin Salianji. “Gjithçka që bëri ishte denoncimi publikisht se vëllai i ministrit të Brendshëm ishte dënuar në Itali me 7.5 vjet për trafik droge. Ministri dha dorëheqjen, vëllai i tij u ekstradua brenda pak ditësh, por deputeti ynë është në burg sot që flasim, vetëm për hakmarrje politike”, tha Bylykbashi në fjalën e tij.
“Kjo është arsyeja pse kthimi i PDSH-së në forumet e PPE-së është kaq i rëndësishëm në këto muaj para zgjedhjeve. Ne sot bëjmë thirrje për mbështetjen e fortë dhe të zëshme të PPE-së dhe partive simotra, në përpjekjet tona për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për të bërë të mundur rotacionin demokratik të pushtetit”.
(A2 Televizion)