Me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”, Lulzim Basha prezantoi këtë të shtunë programin e Partisë Demokratike zyrtare, më të cilindo të kërkojë votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 2025.
Me fokus tek familja, rinia dhe ekonomia, Basha kërkon të marrë frenat e shtetit në mandatin e ardhshëm qeverisës.
Plaga e plakjes së popullsisë, sipas Bashës shërohet duke subvecionuar familjet e reja ndaj dhe propozon që për 30 mijë çifte të rinjshshteti të paguajë interesat e kredisë për blerjen e banesës.
“2,000 për çdo bebe. 20 mijë euro për fëmijën e tretë”.
I vetëdijshëm se vetëm kjo masë nuk shëron çdo plagë, Basha premtoi se për të gjithë nxënësit do të ketë mundësi për kurse dhe trajnime pas shkollës, si dhe librat do të jenë falas deri në klasën e 12-të. Për të pasur rritje ekonomike, do të synohet rikthimi i taskës së sheshtë ku këtë herë nuk do jetë 10 por 9%.
“Taksë e sheshtë 9% dhe tatim për profesionet e lira 9%”.
Mbështetje premton edhe për bujqësinë dhe blegtorinë, por jashtë vëmendjes nuk mbeten as pensionistët dhe ish-të përndjekurit.
Teksa Basha kishte rritur tonet dhe po shpaloste programin, në sallë ra qetësia pasi u shkëput energjia elektrike.
Ndërprerja e energjisë. Basha deklaroi se integrimi evropian do të jetë në vëmendjen e Partisë Demokratike zyrtare, por sytë i hedh përtej oqeanit.
“Do liberalizojmë vizat me SHBA brenda mandatit të parë”.
Edhe njëherë theksoi se mbështetja ndaj drejtësisë do të jetë pa kushte. Një ftesë e pati dhe për kundërshtarët, duke i sfiduar për të debatuar për programin.
“I hedh dorashkën çdo kundërshtari politik, të debatojë me ne propozimet tona, zgjidhje tona për Shqipërinë që meriton më shumë”.
Me atmosferën e luftës që është gjithmonë në prag në Ballkan, Basha premtoi se për çdo të ri dhe të re që do kryejë shërbim ushtarak për 4 vite, do këtë pagesë si rezervistë deri në moshën 45 vjeç.
Prezantimi i programit është hapi i parë i nisjes së fushatës, pasi në ditët dhe javët në vijim Lulzim Basha, bashkë me ekspertët e PD zyrtare do të nisin një tur takimesh me të gjithë grupet e interesit. (A2 Televizion)