Bashkimi i opozitës, Sejamini: Duhet përulësi dhe mendje të hapura

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2026, 21:30 | Politikë

Gazetari Neritan Sejamini, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, tregoi dy kushtet nga mund të nisë bashkimi i madh opozitar.

“Në Shqipëri, për mirë a për keq, ka pasur një traditë të koalicioneve të mëdha dhe kjo traditë e koalicioneve të mëdha është bërë mbi logjikën e numrave, për t'ju përshtatur sistemit zgjedhor, sidomos atij që ka qenë para ndryshimeve që u bënë të fundit dhe kjo lloj përvoje këtë ka. Bashkohemi se grumbullojnë numrat. E dyta, është që ne kemi disa parti të reja të cilat në mënyrë racionale duan që të rrisin elektoratin e tyre dhe në mënyrë racionale mendojnë strategji të caktuara. Ka parti të reja për shembull që duan të marrin vota nga PD-ja dhe bashkimi me PD-në nuk i intereson shumë sepse shpresa e tyre, në kuptimin e llojit të elektoratit, e personave që mund t'i afrohen, mund të jenë persona të cilët mund të jenë të zhgënjyer nga Partia Demokratike dhe sa të mos votojnë apo të shkojnë në parti tjetër, secila nga këto përpiqen për ta mbledhur këtë elektorat që nuk është i Partisë Demokratike. Pra, në një farë mënyre ka një domosdoshmëri numrash dhe kjo është tradita që të bashkohen numrat për një aritmetikë elektorale, në kushtet që jemi, dhe kjo është e domosdoshme që nëqoftëse opozita është fragmentuar siç jemi sot, shanset për të fituar në zgjedhje, qofshin lokale, qofshin të përgjithshme janë minimale”, tha Sejamini.

“Tjetra është se partitë e reja kanë lindur për t'u fuqizuar dhe një pjesë e këtyre partive kanë dalë nga parti të tjera ose janë persona të cilët kanë qenë, edhe zoti Lapaj, edhe zoti Shehaj dhe të tjerë kanë qenë të përfshirë në lëvizje të tjera të caktuara dhe kanë identitetin e tyre personal, identitetin e tyre zgjedhor dhe përpiqen që në këtë lloj skeme të mundohen të bëjnë dhe ata llogjikën racionale të numrave, pra të grumbullojnë sa më shumë. Prandaj, që të arrihet të bëhet një koalicion duhet kapërcyer ky vetinteresim racional i faktorëve politikë, por edhe i partisë së madhe që i do të voglat vetëm për numër. Dhe ajo që është pozitive në nismën e grupit që përfaqëson zoti Hasimja është që duhet të gjejnë bashkimin në ca çështje që i bashkojnë dhe në vend që të thuash po bashkohemi se po bëjmë një koalicion, po thua “ne po bëjmë një projekt, i cili ka për qëllim 3-4 gjëra, pastaj nëqoftëse do ngjizemi pasi të arrihen këto 3-4 objektiva mund të bëjmë dhe çfarë të duash. Dhe kjo është e vetmja mënyrë se si mund të ketë një lloj bashkimi. Parimi i bashkimit është që këto idetë e vijave të kuqe e këto gjëra duhet të largohen. Tani është bërë kështu si klishe banale politike. Çdo njeri flet për vijën e kuqe. Ndonjëherë ne përqafojmë ca klishe në të shprehur e cila na bëhet klishe mendore. Pra, nëqoftëse ne flasim për vija të kuqe, në një farë mënyre po krijojmë disa barriera mendore. Nëqoftëse ti do të bashkohesh për një gjë të caktuar, gjëja e parë që do të bësh është të jesh i hapur që edhe mund të bashkohesh. Pastaj, ti në fund fare mund të mos bashkohesh, por gjëja e parë është të thuash “nuk ka kushte, hajde të ulemi njëherë, hajde të njihemi, hajde të diskutojmë, hajde të shikojmë ku jemi, ku s'jemi dhe pastaj në fund fare nuk ka nevojë ta thuash paraprakisht kjo është vija e kuqe”. Pa qenë nevoja për t'u treguar arrogant, pa qenë nevoja për t'u treguar më i zgjuar se të tjerët, më i zoti se të tjerët, më i ndershëm se të tjerët. Që të bashkosh ka dy elementë të rëndësishëm. Duhet një përunjësi për të pranuar që të gjithë jemi të rëndësishëm për njëri-tjetrin. E dyta, duhet të jesh mendjehapur se ndonjëherë mund të zhgënjehesh sa kollaj mund ta gjesh gjuhën. Mund të zhgënjehesh që vërtetë mund të krijohet diçka. Po nuk u nise me përunjësi dhe me mendje të hapur për të bërë këto diskutime, nuk ka bashkim”, shtoi Sejamini.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos