Beteja me gjyqtarët në Kushtetuese, Rama: Më sulmojnë si parti politike, kërkojnë rritje page

Nga Fjorela Beleshi
4 Shkurt 2026, 19:52 | Politikë

Me argumentin që është palë në proces, Kryeministri Edi Rama vijon të sulmojë gjyqtarët që kërkojnë rritjen e pagës së magjistratëve me anë të procesit gjyqësor në Kushtetuese.

Para vendimit të kësaj trupe gjykuese, shefi i qeverisë vulosi përfundimin e kësaj kërkese: “Është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq. Ju, zotërinj kërkoni 37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes pagat. Për gjyqtarin e Shkallës së Parë, paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për gjyqtarin e Apelit paga të shkojë nga 3480 që është sot aktualisht, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë 5800 euro dhe ju kërkoni që pagat e prokurorëve të SPAK-ut të cilët, edhe një herë tjetër për SPAK-un, e veçoj sepse nuk i është bashkuar dhe respekte, nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje absurde, nuk ka firmosur për të qenë palë në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar pagën e vet 9800 euro! 9800 euro!”.

Jo vetëm rritja e pagave, por Edi Ramën e ka shqetësuar edhe komenti i Shoqatës së Gjyqtarëve për qëndrimin e tij si tymnajë populiste. Pa e marrë parasysh që edhe ata janë palë, Kryeministri mendon se ata po sillen si një parti politike, që ata nuk duhet të flasin në këtë mënyrë: “Pra, jemi palë dhe befas, Shoqata e Gjyqtarëve shfaqet publikisht si një parti politike, me një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. E gjithë kjo tymnajë populiste...”, po kush jeni ju që i jepni vetes të drejtën të bëni përcaktime të tilla; tymnajë populiste?! Jeni parti politike? Regjistrohuni si parti politike, dilni në garë dhe mbroni platformën tuaj dhe pastaj bëni dhe ju siç bëjnë plot “luftën” me etiketime, me sharje, me fyerje. Nuk ka ligj dhe nuk ka Kushtetutë që ju jep juve këtë të drejtë”.

Madje, ai shkon më tej, jo vetëm që gjyqtarët nuk duhet të ankohen thotë kryeministri, por duhet të jenë mirënjohës ndaj mazhorancës socialiste për këtë pavarësi që kanë: “Kurrë nuk e keni parë ju më parë këtë pavarësi, kurrë nuk e keni pasur ju më parë këtë pushtet të cilin patjetër ua ka dhënë Kushtetuta, por Kushtetuta ua kishte dhënë në letër dhe më pare, por nuk e kishit sepse ua diktonin të tjerët. Kjo qeveri është garantja e pavarësisë suaj dhe ju e dini shumë mirë se këtu keni jetuar”. 

Pas deklaratës së Kryeministrit Rama në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, shqetësimit të gjyqtarëve iu bashkua edhe Shoqata e Prokurorëve, të cilët kërkojnë që të mos ndikohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese: “Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës. Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes”. 

I papëlqyeshëm për kryeministrin Rama edhe ky reagim, të cilin e anatemoi si një deklaratë të një shoqate të paregjistruar ende, por brenda afateve. Por, pasi u publikuan dokumentat që shoqata ishte regjistruar, kryeministri u justifikua duke thënë se komenti nuk kishte të bënte me regjistrimin, por me moshën fare të re të shoqatës, një mënyrë kjo edhe për të nënvlerësuar regaimin e tyre kundër qëndrimit të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos