Partia Demokratike akuzoi qëndrimin e shumicës ndaj kërkesës së SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut të cilët një ditë më parë u shprehën kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.
“Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin dhe urdhrin e tij dje ndaj vasalëve të tij që të mos votojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Nga selia e PD-së Berisha u shpreh se edhe institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar votimin pro kërkesës së SPAK. “BE, KE, PE, vendet më kryesore të BE-së, kanë folur qartë para shqiptarëve, asnjë pengesë drejtësisë, shkarkohet lubi balluku, t’i hiqet imuniteti”, shtoi kreu i PD.
Përballë këtij refuzimi Berisha shprehet se ndryshimi vjen nga protestat. “Siç është bërë tashmë e qartë, Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Edi Ramën nuk e heq dot drejtësia, Edi Ramën nuk e heq dot komunitetit ndërkombëtar, por atë do ta heqin shqiptarët, do ta shembin njëlloj si kultin satanik të Enver Hoxhës”.
Këshilli i mandateve doli me dy opinione sa i takon kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për imunitetin e Belinda Ballukut, ku për socialistët është i mjaftueshëm vetëm pezullimi nga detyra. (A2 Televizion)