Gazetari Arbër Hitaj tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN se opozita po ringrihet dhe strukturat janë riaktivizuar, pas protestave të fundit para Kryeministrisë. Gazetari mendon që protestat kanë qenë pozitive, me përjashtim të asaj të parafundit, ku u hodh molotov ndaj turmës së policëve.
“Çdo dy javë të kesh një angazhim të tillë me mbështetës nuk është pak. Më e pakta ti mobilizon strukturat, u jep mundësi strukturave ringrihen. Pash që kishin bërë edhe zgjedhje disa struktura në Jug të vendit. Ti strukturën e ndez pak nga pak, vë fitilin dhe ngrihet pak nga pak gradualisht. Unë mendoj që PD po ringrihet. Erdhi nga një rezultat katastrofal i zgjedhjeve të kaluara parlamentare, dhe pati një dekurajim të jashtëzakonshëm, kjo u reflektua në zgjedhjet e parakohshme të nëntorit në 5 bashki, ku pjesëmarrja në Vlorë ishte 3 mijë e ca veta. Protestat i shikoj pozitive. Protesta e kaluar ishte e qetë normale, s’kishte ndonjë episod të jashtëzakonshëm. Ndërsa protesta e parafundit, u hodh molotov brenda turmës së policëve, desh u dogj edhe një kameraman kolegu jonë, ishte katastrofë në organizim. Opozita për mua po ringrihet, po i trysnon strukturat që të punojnë dhe po i shoh deputetët që janë shumë më të angazhuar, ndoshta kanë frikë sepse janë edhe zgjedhjet e brendshme në PD”, tha Hitaj.
(A2 Televizion)