Gazetari Arbër Hitaj deklaroi se mazhoranca duhet të ndryshojë kursin politik dhe të shmangë përfshirjen në poste drejtuese të individëve që kanë probleme me drejtësinë. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, ai theksoi se kryeministri Edi Rama ka ende hapësirë për korrigjim, pasi nuk ka kaluar ende një vit nga zgjedhjet parlamentare.
Sipas Hitajt, qasja e re duhet të nënkuptojë largimin nga funksionet publike të çdo zyrtari që përballet me drejtësinë deri në momentin kur çështja e tij shkon në gjykim. Ai tha se nuk është normale që drejtues vendorë apo zyrtarë të lartë të paraqiten paradite në institucionet e drejtësisë dhe më pas të rikthehen në zyrë për të ushtruar detyrën.
“Ka ardhur koha që të mbyllet kapitulli i njerëzve problematikë me drejtësinë në poste drejtuese. Kjo është kërkesë e kohës, sidomos kur vendi ndodhet në një fazë intensive marrëdhëniesh me Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Hitaj vlerësoi se qeveria aktuale ka një model hibrid, me një kombinim ministrash teknikë dhe figurash politike, duke shtuar se pesha duhet të anojë më shumë nga ata që nuk kanë ngarkesa apo dosje. Sipas tij, mazhoranca ka më shumë mekanizma për t’u vetërregulluar për shkak të pushtetit që zotëron si në ekzekutiv, ashtu edhe në pushtetin vendor, shkruan A2 CNN.
Në lidhje me drejtësinë, gazetari theksoi se çdo ndryshim ligjor duhet të shoqërohet me reformë të thellë që qytetarët të marrin drejtësi më shpejt. Përndryshe, sipas tij, ndërhyrjet që prekin vetëm disa zyrtarë nuk përbëjnë interes publik. (A2 Televizion)