Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në fjalën e mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, theksoi që ish-krerët e UÇK po përballen me një betejë të padrejtë dhe me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare, raporton A2CNN.
Begaj vuri në dukje se Historia e Republikës së Kosovës s’mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit, dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
“Në emër të Republikës së Shqipërisë ju uroj gëzuar Ditën e Pavarësisë. Çdo shqiptar kudo ndodhet sot ndihet pjesë e festës, urimit dhe krenarisë. Sot është një ditë e madhe. Sot Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Në jetën e një shteti ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran.
Ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm. Kosova është një histori e jetuar suksesi, që bën krenar kombin tonë dhe të gjithë ata që luftuan dhe kontribuuan në dekada, por edhe miqtë e partnerët tanë strategjikë, sidomos SHBA-të dhe bashkësinë perëndimore. Në këtë përvjetor mendimi ynë shkon tek ata që s’janë fizikisht mes nesh, zemrat tona janë me dëshmorët e lirisë aty ku ata prehen.
Por sot mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës s’mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në gjykatën ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar”, tha Begaj në fjalën e mbajtur.
Në fjalën e mbajtur kreu i shtetit shqiptar dha një mesazh edhe për qeverinë Kurti 3, duke u shprehur se ajo duhet të tregohet e përgjegjshme.
"Vullneti i qytetarëve i shprehur qartë në zgjedhjet e fundit tashmë ka marrë formë institucionale me konstituimin e Kuvendin dhe formimin e qeverisë së re. Sfida e tanishme qështë që ky mandat i besuar nga qytetarët të përkthehet në qeverisje të përgjegjshme, vendimarrje të guximshme dhe përballimin me guxim dhe mençuri të sfidave të dialogut dhe integrimit europian", tha Presidenti i Shqipërisë.
(A2 Televizion)