
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ish-drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, se ka firmosur urdhra hetimi për mbesat e tij, edhe para se ato të lindnin, shkruan A2 CNN.
“Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për të gjitha, për 16 institucione, për të hetuar Sali Berishën dhe mbesat e tij, edhe katër vite para lindjes së tyre. Dërguar çdo institucioni, pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Edi Ramës, i cili tha se Skapi duhet të hetojë dhe ndëshkojë Sali Berishën. Kjo është lista, ata brenda një dite kanë dërguar 16 kërkesa për hetim 30-vjeçar. Kjo nuk ka lidhje me dosjen. Dosja nuk ishte gjë, dosja është një piramidë”, tha Berisha pasi doli nga godina e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” vendosur ndaj tij.
Berisha tha se e gjithë dosja kundër tij, për çështjen “Partizani”, është bazuar mbi dokumente të falsifikuara. “Një proces politik kundër liderit të opozitës dhe pronarëve legjitimë, në të cilin ju do gjeni 35 falsifikime të falsifikatorëve Dumani, Kraja dhe Millonai. Domethënë Troplini, ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit, Kraja dhe ndrikulla e kartelit të drogës së Elbasanit, Enkelejda Fetahu. Në këtë publikim janë të rreshtuara me fakte të pakundërshtueshme 35 falsifikime, secili prej tyre përbën krim të rëndë në procesin e dosjes Partizani. Tani, meqenëse kjo është vetëm një dosje, do ua dërgojmë të gjithëve në formë digjitale. Sepse kopjet janë më të pakta, do donim që secili prej jush ta kishte në bibliotekë, por me kërkesat e mëdha është shumë e vështirë ta përballosh”, shtoi ai. (A2 Televizion)