Mila flet me siguri: Rama nuk është penduar për Reformën në Drejtësi

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2026, 20:36 | Politikë

Sara Mila, deputete e Partisë Socialiste, e ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk është penduar aspak për Reformën në Drejtësi.

“10 vite nuk janë pak, por nuk janë as shumë për të maturuar një reformë e cila nisi si kusht themelor për anëtarësim në BE, por edhe si domosdoshmëri për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por, ajo që ka ndodhur në këto vite, gjatë maturimit, sistemi i drejtësisë reflekton disa problematika mbi rolin e gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit. Kryeministri kërkon thjesht një qartësim. Gjyqësori nuk mund të bëjë politikë dhe të vendosë atë që ka në dorë ekzekutivi për ta bërë”, tha Mila.

Sipas saj, “kjo është betejë parimore, ku Gjyqësori nuk mund të pezullojë një ministër në detyrë pa pasur vendim të formës së prerë”.

Kur u pyet nëse ka ndryshuar qëndrimi i kryeminstrit Edi Rama, Mila theksoi se “në asnjë moment nuk është bërë pishman”.

“Nëse do të kthehej 10 vite pas, do të bënte ekzaktësisht të njëjtën gjë. Reforma në Drejtësi është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë, sidomos kur të maturohet siç duhet. Nuk ka ndryshim diskursi, por vendosje pikash mbi i për momente shumë të rëndësishme të ndarjes institucionale”, theksoi Mila. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos