Berisha: E gjithë bota pret nga PD zgjidhje për situatën dramatike në Shqipëri! Shteti i përmbyti shqiptarët në këtë fillim viti

Nga A2 CNN
15 Janar 2026, 14:14 | Politikë

Berisha: E gjithë bota pret nga PD zgjidhje për situatën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar deklaroi se "të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri".

"Zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, e cila si në asnjë vend tjetër, një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj. Një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në botë. Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë. Në një përmbytje me pasoja të rënda. Në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera", tha Berisha, shkruan A2CNN.

"Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie. Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të. Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve. Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute. Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj. Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës. Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni", shton kreu i PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos