Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e ka cilësuar 8 Janarin si një nga momentet më të turpshme në historinë e PD-së, duke theksuar se përgjegjësia për atë përplasje i takon si ish-kryetarit Lulzim Basha, ashtu edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Salianji tha se ajo ngjarje ishte pasojë e një konflikti të thellë lidershipi dhe jo e individëve të veçantë. Sipas tij, përplasja nuk e nderon Partinë Demokratike dhe pasojat e saj vijojnë të rëndojnë edhe sot mbi opozitën.
“8 janari ishte një përplasje mes ish-kryetarit dhe kryetarit të atëhershëm të PD-së. Është një histori që i bën përgjegjës të dyja palët, si zotin Basha, ashtu edhe zotin Berisha,” u shpreh Salianji, duke shtuar se pamjet e asaj dite ishin të dëmshme për imazhin e partisë.
Ai theksoi se vetë nuk ka qenë agresor në atë ngjarje dhe se prania e tij në selinë blu lidhej me një mbledhje të thirrur nga shumica e grupit parlamentar dhe kryetarët e degëve. Salianji deklaroi se situata e krijuar ishte një “kurth politik”, ndërsa fakti që selia e PD-së ishte blinduar nuk ishte bërë i ditur më parë.
Sipas tij, 8 janari mbetet një “Çernobil politik” për PD-në, një ngjarje që duhet analizuar thellë, pranuar si gabim dhe tejkaluar, në mënyrë që partia të rifitojë besimin dhe epërsinë morale përballë qeverisë. (A2 Televizion)