Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se Sali Berisha mbetet një simbol i rëndësishëm brenda Partisë Demokratike, por theksoi se frymëzimi i tij politik nuk lidhet drejtpërdrejt me individë, por me idetë.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Salianji tha se Partia Demokratike është një forcë e madhe politike, me shumë figura simbolike në historinë e saj, duke përmendur Azem Hajdarin, Pashko Gjeçin, Sabri Godon dhe Pjetër Arbnorin, si pjesë e trashëgimisë themeluese të saj.
“Zoti Berisha në Partinë Demokratike është një prej simboleve, ashtu si shumë figura të tjera historike. Unë nuk inspirohem lehtë nga njerëzit, por nga idetë,” u shpreh Salianji, duke shtuar se ka vlerësim për kontributet e të gjithë këtyre personaliteteve në historinë e PD-së.
Ai theksoi se figura që e ka frymëzuar më shumë në aspektin politik është ish-kryeministri britanik Winston Churchill, për idetë, vizionin dhe mënyrën se si ka udhëhequr në momente të vështira historike. Sipas Salianjit, frymëzimi politik vjen nga leximet, biografitë dhe idetë që i rezistojnë kohës, dhe jo thjesht nga emra konkretë.
Salianji shtoi se Partia Demokratike ka pasur dhe vijon të ketë shumë figura me vlera dhe kontribute të rëndësishme, por nënvizoi se aktualisht fokusi i tij nuk është te emrat, por te idetë dhe drejtimi që duhet të marrë opozita në të ardhmen. (A2 Televizion)