Prezantohet Prefekti i ri i Tiranës, Shkëlqim Hajdari: Puna e parë, mbledhje me kryebashkiakët

Nga Armend Pire
9 Shkurt 2026, 17:17 | Politikë

Kjo e hënë e 9 shkurtit ishte dita e parë e punës për Shkëlqim Hajdarin. Pas një karriere pune si inspektor i përgjithshëm, Hajdari do të ushtrojë detyrën e prefektit të Tiranës. Prezantimi i tij u bë nga ministre e brendshme Albana Koçiu, në prani edhe të ish-prefektit Afrim Qendro dhe përfaqësues të tjerë të qarkut të Tiranës. Për Shkëlqim Hajdarin kjo mund të jetë detyra e tij e fundit në karrierën e gjatë prej 35 vitesh, por më e dashura për të në shërbim të qytetarëve të qarkut të Tiranës.

“Për mua ky nuk është thjesht një funksion shtetëror, por një mision që lidhet drejtpërdrejtë me njerëzit, me jetën e tyre dhe me të ardhmen e këtij qarku. Tirana është vendlindja, kujtesa dhe shpirti im. Do të jem prefekti i të gjithëve, i autoktonëve të Tiranës dhe i çdo qytetari tjetër që jeton në këtë metropol pa dallime politike, fetare apo shoqërore, sepse Tirana është e fortë vetëm kur qytetarët e saj janë të bashkuar. Në ushtrimin e kësaj detyre ligji do të jetë busulla ime e vetme”, tha Hajdari, përcjell A2 CNN.

Roli i prefektit është ura lidhëse dhe zbatuese e ligjeve nga pushteti qendror tek ai vendor. Ndaj takimet me kryebashkiakët është puna e parë që Hajdari thotë se do të kryejë.

“Do takoj të gjithë kryetarët e bashkive, të gjithë drejtuesit e institucioneve qendrore dhe do të krijoj një ide më të qartë se cilat do jenë prioritetet dhe si do zbatohen ato radhë pas radhe. Unë kështu jam mësuar të punoj. Nuk krijoj prioritete pa e njohur situatën dhe pa e prekur me dorë”, shtoi ai.

Nga janari i këtij viti është hedhur për konsultim publik projektligji i ri për prefektin e qarkut, ku sipas ministres së Punëve të Brendshme Albana Koçiu, me këtë projektligj forcohet roli i prefektit në sigurinë publike, mbrojtjen e territorit dhe në menaxhimin e emergjencave civile. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos