Kryetari i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, i është përgjigjur negativisht ftesës së Berishës për të qenë pjesë e protestës së Partisë Demokratike të hënën e 22 dhjetorit.
Përmes një lidhjeje live nga sheshi jashtë Kryeministrisë për emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, Lapaj tha se kushdo që e ka seriozisht rrëzimin e Ramës, duhet të protestojë si qytetar i thjeshtë, pa logo partie.
Ai tha se të gjithë faktorët politikë që kërkojnë rrëzimin e Ramës, mund të dalin në shesh dhe të bashkohen rreth një kauze të përbashkët, asaj për demokratizimin e Shqipërisë.
“E vetmja mënyrë është që secili nga ne partinë ta lërë te selia, flamurin e partisë te selia, se asnjë nuk e mund dot me partinë e vetë dhe këtu të zbresë si qytetar pa logo, pa flamur, por me një kauzë të përbashkët. Kauza e përbashkët është demokratizimi i Shqipërisë, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike për herë të parë.
Kështu që kushdo e ka seriozisht rrëzimin e Ramës, duhet ta tregojë me vepra, së pari duke qenë në shesh, së dyti duke e lënë partinë mënjanë dhe duke e vënë Shqipërinë të parën. Sepse për ne Shqipëria vlen më shumë se partia. Këtu s’ka asnjë logo, mund të vini ta shikoni”, tha mes të tjerash Lapaj. (A2 Televizion)