Flota tokësore e emergjencave civile, ministri Vengu: Bashkitë do pajisen me zjarrfikësve malore të prodhuara në Shqipëri

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2025, 20:33 | Politikë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka folur në emisionin ‘War Zone’ me gazetarin Eno Luarasi në A2 CNN për strategjinë e re të Shqipërisë për mbrojtjen civile dhe ushtarake.

Vengu është shprehur se përsa i përket mbrojtjes civile, do të ketë rinovim të flotës tokësore të emergjencave civile.

Vengu tha se këto mjete për mbrojtjen civile do të prodhohen në vend dhe më pas do iu shpërndahen të gjitha bashkive.

Ai shtoi se do të ketë jo vetëm zjarrëfikëse të thjeshta, por do të ketë edhe zjarrëfikëse të përshtatura posaçërisht për terrene malore dhe terrene të vështira.

“Element tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me inovacionin. Ne kemi krijuar këtë vit komandën kibernetike për të pasur një qasje më të plotë në mënyrën se si të mbrohemi nga kërcënimet të cilat nuk janë më kërcënime teorike, nuk janë kërcënime të ashtuquajthura hibride, por janë kërcënime reale, të prekshme dhe të përditshme.

Në këtë mënyrë po investojmë fuqimisht dhe buxheti 2026 na jep mundësinë që të investojmë fuqimisht në kapacitete kibernetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë dhe bashkëthemeluesit e kësaj komande praktikisht në vitin 2025.

Dhe pika e fundit po gjithashtu shumë e rëndësishme qoftë për të gjithë të gjitha bashkitë e vendit, të gjitha komunitetet, të gjitha familjet shqiptare ka të bëjë me gatishmërinë tonë për emergjencat civile dhe praktikisht emergjenca civile hyn edhe ajo në kuadër të industrisë ushtarake ku ne prodhojmë për nevoja të dyfishta, qoftë për sa i përket mjeteve taktike.

Ju përmenda dhe mjetet e emergjencave civile dhe ne fillojmë praktikisht fazën e parë të rinovimit të gjithë flotës së emergjencave në rang vendi dhe ndërtojmë dhe dy qendra rajonale të emergjencave civile në zona me rrisk shumë të lartë, një në jug të vendit, një në veri të vendit.

Emergjencat civile në buxhetin e mbrojtjes zënë vetëm 10%. 90% kanë të bëjnë me kapacitete luftimi, industri, mirëqenie e ushtarakëve dhe familjeve të tyre, si dhe infrastrukturë mbështetëse. 10% është emergjenca civile. Edhe këtu ne vijmë me një rritje domethënëse dhe praktikisht do kemi mundësinë të bëjmë dy gjëra ndryshe nga sa kemi bërë në të kaluarën.

Ndërkohë rinovimi i flotës tokësore është shumë e rëndësishme sepse ndër vite qeveria ka financuar bashkitë. Bashkitë jo detyrimisht janë pajisur me mjetet e duhura për rriskun e duhur, për gjeografinë e duhur. Kështu që ne praktikisht me industrinë tonë ushtarake dhe ndërmarrjen shtet-privat që kemi krijuar për mjete taktike dhe mjetet e emergjencave civile, do t'i prodhojmë vetë këto mjete dhe do t’i transferojmë te bashkitë, në mënyrë që në një cikël dyvjeçar të mund të rinovojmë tërësinë e flotës vendore dhe nuk do jenë vetëm zjarrëfikëse urbane, por do jenë edhe zjarrëfikëse malore, zjarrëfikëse pyjore, zjarrëfikëse dhe autobote të dedikuara për operacione të kësaj natyre”, tha mes të tjerash Vëngu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos