“Lapaj u ftua të jetë në protestën e PD”, Berisha: Protesta e të hënës fillim i revoltës popullore për largimin e Ramës

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2025, 13:22 | Politikë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha njoftoi se protesta e të hënës është fillimi i një stine të madhe të revoltës popullore, e cila do të ndalet vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një bashkëbisedim me qytetarët, kreu i selisë blu tha se qytetarët do t’i japin ultimatum Ramës, i cili duhet të largohet që Shqipëria të rigjejë paqen e merituar.

“Protesta të hënën është fillimi i madh i stinës, e cila ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës. Ne dalim në protestë të hënën për të shënuar fillimin e revoltës popullore për largimin e Edi Ramës”.

Berisha theksoi se dorëheqja e Edi Ramës është kushti kryesor për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin dhe paqen në vend.

“Nga protesta e të hënës, qytetarët shprehin revoltën e tyre dhe japin ultimatum Edi Ramës. Edi Rama duhet të largohet. Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen që meriton”, deklaroi kreu demokrat.

Sipas Berishës, PD ka filluar një protestë javore para kryeministrisë dhe mbështetësit e saj, së bashku me aleatët, do të jenë në shesh më datë 22 për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.

“PD siç e patë ju, filloi protestën e saj të fuqishme, ka filluar protestën e saj javore para kryeministrisë me qëllim dhe e dyta në parlament. Me datën 22 PD dhe elektorati, mbështetësit, aleatët e saj janë në shesh”.

Ndërkohë që sot po zhvillohet para kryeministrisë protesta e organizuar nga “Shqipëria Bëhet”, Berisha tha se Lapaj u ftua të ishte i pranishëm në protestën e Partisë Demokratike, por ka vendosur të zhvillojë një protestë të veçantë për partinë e tij.

“Unë e kam mbështetur publikisht jo njëherë, por disa herë dhe e kam përgëzuar Lapajn për protestën e tij. Natyrisht ai përfaqëson një parti politike dhe protestën e bazon tek partia e tij. Për ta ditur Lapaj është ftuar të ishte i pranishëm në protestën tonë, madje edhe mund të fliste, por ai ka programuar protestën për partinë e tij”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos