
Kreu i PD Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në Kryesinë e PD, tha se kryeministri Edi Rama po përplaset me partnerët ndërkombëtarë, vetëm për të mbrojtur rrethin e tij të ngushtë familjar. Po ashtu kryedemokrati u shpreh se Rama po bën përpjekje për t’i zbardhur faqen Vuçiçit.
“E gjithë kjo përplasje e madhe me opozitën dhe partnerët ndërkombëtar bëhet vetëm për Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë familjar. Çdo shqiptar paguan për vjedhjet e Ramës, njerëzve me të cilëve ka vjedhur, Lindës së tij, baxhanakut e me radhë. Si rrugëdalje ai ka zgjedhur shkelmimin haptas të interesit të çdo shqiptari, integrimin në BE, bllokimin e tij, dhe kërkesën që bëri me Vuçiçin për një integrim tregtar me BE-në, por jo paketa politike. Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Rama kreu një akt, ndër më të egrit armiqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.
Sipas kryedemokratit nisma Rama-Vuçiç ka mbështetje të pjesshme sepse ka anëtarë të BE-së që mendojnë se Shqipëria kurrë s’duhet të jenë anëtarë të BE,
"Bashkimi Europian, Komisioni Europian, sigurisht nuk mund dhe nuk do të pajtohet me asgjësimin e sistemit të drejtësisë, por duhet të jemi realistë, nisma Rama-Vuçiç, nuk është se nuk ka mbështetje të pjesshme. Ka mbështetje të pjesshme sepse ka anëtarë të BE që mendojnë se Shqipëria kurrë nuk mund të jetë anëtare e BE. Prandaj, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç na dhanë një zgjidhje, nuk duam vetë dhe nuk merremi me ta. Ka edhe lobistë, ka edhe ekstremistë të majtë që janë të pandreqshëm në rrafshin ideologjik, ata bëjnë avokatinë e Ramës në çdo tryezë ku ndodhen", vijoi kreu i PD.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare “të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre dhe Parlamentet e tyre të dërgojnë misione faktmbledhëse” në Shqipëri.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, pritet të diskutohen një sërë çështjesh me rëndësi, nga protesta e 22 marsit, te procesi zgjedhor brenda PD. (A2 Televizion)