
Kreu Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me studentë të shkollës franceze, “Sciences Po”, ku në fokus ishin korrupsioni, ekonomia dhe integrimi europian i Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha deklaroi se lufta kundër korrupsionit kërkon reforma strukturore, duke përmendur lehtësimin e procedurave administrative, uljen e taksave dhe përdorimin e teknologjisë për rritjen e transparencës në prokurimet publike, raporton A2CNN.
Në lidhje me zhvillimet rajonale, Berisha kundërshtoi çdo ide për “integrim të diferencuar”, duke komentuar një qëndrim të përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç, ndërsa theksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit mbetet anëtarësimi në BE.
“Në diskutimin për ekonominë, theksova se praktika aktuale shpesh dekurajon pjesëmarrjen reale të kompanive europiane në tenderat publikë në Shqipëri. Kjo bie ndesh me frymën e tregut të përbashkët europian dhe me parimin e shtetit të së drejtës. Pa këto dy shtylla, nuk mund të flasim për integrim të vërtetë.
Në këtë kontekst, përmenda edhe letrën e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vučićit në mediat gjermane, e cila sugjeron një qasje që mund të perceptohet si integrim i diferencuar. Ky nuk është standardi që ne synojmë. U përsërita atyre siç bëj vazhdimisht se e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit është, pa dyshim, në Bashkimi Evropian.
Pyetjes mbi qëndrimet e ‘ndonjë Ambasadori të lobuar’, që pretendon se opozita amplifikon skandalet e korrupsionit, iu përgjigja se ka të tillë që bëjnë mbrojtje pasionante të Edi Ramës, por vlerësimi i realitetit duhet të bazohet në fakte dhe në interesin publik, mbi çdo konsideratë tjetër”, tha Berisha në lidhje me takimin.
(A2 Televizion)