Kreu i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi se vota kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut përbën bllokim të procesit të integrimit, ndërsa paralajmëroi nisjen e një kryengritjeje paqësore gjatë seancës së të enjtes. Sipas tij, largimi i regjimit mbetet në dorën e aksionit të qytetarëve dhe jo të faktorit ndërkombëtar.
"Sot interesi suprem kombëtar i shqiptarëve është integrimi i Shqipërisë në BE, dhe ky e shkelmon këtë interes vetëm për interesat e tij.”, tha Berisha.
Sipas Berishës, edhe ndërkombëtarët janë ndërgjegjësuar nga qasja e maxhorancës, por shprehet se ndryshimet në vend nuk vijnë nga importi.
“Leva e Arkimedit për largimin e Edi Ramës jemi vetëm ne, janë qytetarët shqiptarë, është opozita shqiptare. Kështu që nesër shënon një etapë të re vendimtare në betejën tonë për përmbushjen e këtij regjimi.”, tha Berisha.
Agjenda politike e të enjtes parashikon gjithashtu një tubim të opozitës para sallës së seancave plenare, të cilin Berisha e konsideron një kryengritje paqësore.
“Opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore gjer në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi antishqiptar. Le ti zotohemi Edi Ramës se ai nuk do të gëzojë kurrë atë që mendon, dhe në rast se do t’i shpëtojë një prokurori, nuk do të shpëtojë kurrë lëkurën e tij nga populli shqiptar.”, tha Berisha.
Seanca plenare e të enjtes parashikon votimin e dy raporteve mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, ku demokratët janë shprehur pro, ndërsa maxhoranca kundër.
(A2 Televizion)