Berisha: Me kryengritjen tonë i treguam botës se Shqipëria ka një “monstër” në pushtet

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2026, 19:10 | Politikë

Berisha: Me kryengritjen tonë i treguam botës se Shqipëria ka

“Protesta e opozitës ka arritur të tërheqë vëmendjen e mediave dhe agjencive më të mëdha ndërkombëtare, duke treguar se Shqipëria ka një “monstër” në pushtet”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në foltoren e radhës së opozitës para kryeministrisë.  

“Ja pra se çfarë arritëm ne me kryengritjen tonë. Ne arritëm t’i themi botës se vërtet kemi një monstër në pushtet, që përdor pushtetin për të vjedhur nga mëngjesi gjer në darkë. Që përdor pushtetin për drogën dhe krimin. Por ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, të vendosur me guximin tonë ta largojmë nga pushteti atë. Rrjetet televizive kanë dhënë protestën tonë më gjatë se çdo lajm tjetër. Jo se ajo ishte të themi më e rëndësishmja në agjendën e tyre, por ajo ishte dëshmi e simpatisë së madhe që ne krijuam me vendimin tonë për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’i dalë zot shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Para mbështetësve, Berisha u shpreh se misioni i ri për përmbysjen e diktaturës së re është vendimi më i rëndësishëm që opozita ka marrë ndonjëherë, ndërsa theksoi se zëri i protestuesve është pasqyruar gjerësisht në arenën ndërkombëtare.

“Vendimi ynë për misionin e ri të përmbysjes së diktaturës së re, është vendimi i jetës sonë. Është vendimi më i drejtë që kemi marrë ndonjëherë. Rezultatet janë shumë impresive. Sonte, mund t’u jap lajmin se agjencitë më të mëdha të botës kanë dhënë zërin tuaj. Ato kanë dhënë vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur veten nga vjedhjet. Ato kanë dhënë vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur organizatën e tij kriminale nga ligji dhe drejtësia. Por kanë dhënë zërin e opozitë shqiptare dhe unë mund t’u them se në Shqipëri, në Europë dhe në botë, njerëzit e lirë kanë folur më shumë se për këdo tjetër, për opozitarët shqiptarë”, vijoi kreu demokrat, përcjell A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos