“Balluku ka kërkuar 3 herë dorëheqjen”, Rama: Një prokuror a gjyqtar s'mund të marrë peng një ministër

Nga Fjorela Beleshi
16 Shkurt 2026, 15:47 | Politikë

Partia Socialiste nuk do të lejojë më që të përsëritet historia e pezullimit nga detyra e Belinda Ballukut nga drejtësia. “Unë s’dua t’i shkojë më në mend askujt që, me fuqinë e prokurorit dhe me verbërinë e gjykatësit që i shkon prokurorit nga mbrapa pa arsyetuar, të marrë peng një funksion kushtetues”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Pasi e hodhi idenë javën e kaluar dhe e lajmëroi konkretisht të dielën në podkastin e tij, Edi Rama nuk ka humbur kohë, por të hënën, me firmën e tij, ka prezantuar në grupin e Partisë Socialiste projektin me ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat e ndalojnë një prokuror të kërkojë dhe një gjyqtar të vendosë pezullimin e një ministri apo funksionari shtetëror, detyra e të cilëve buron nga Kushtetuta.

“Në pikën dy parashikohet që të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet si masë pezullimi i ushtrimit të funksionit: Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, tha kryetari i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja.

“Kjo është një nismë që prek Kodin e Procedurës Penale dhe nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar”, tha kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Edhe pse ngriti një mburojë ligjore përballë drejtësisë edhe për funksionin e tij, Rama u mundua të përcillte disa herë mesazhin se nuk po prek punën dhe pavarësinë e SPAK-ut.

“Ne këtë nuk mund ta lejojmë, që kufiri i ndarjes midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë e dalin qentë dhe minjtë, dhe kjo nuk ka lidhje fare me asnjë cenim të të drejtave që i jep pushtetit gjyqësor pavarësia”, tha ai.

Kryeministri kishte edhe një përgjigje për opozitën, e cila e akuzon se nuk e zëvendëson Zëvendëskryeministren pas vendimit të Kushtetueses, me aludimin e presionit që bën Balluku.

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. Një herë kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim. Dhe të tri herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka”, tha ai.

Rama, para se të udhëtojë drejt SHBA-së, la udhëzimin që Këshilli i Mandateve për imunitetin e deputetes Belinda Balluku të vendoset para se të kalojnë ndryshimet ligjore në Kod.

Në grup, socialistët u njoftuan nga Kryetari i Kuvendit se më 23 shkurt, në orën 10:00, do të shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut për imunitetin e Zëvendëskryeministres, ndërsa në seancën e 5 marsit do të votohet në Parlament.

Pavarësisht ndryshimeve të qëndrimeve, si për kompetencat ashtu edhe për imunitetin e njerëzve të tij, do të shihet pas vizitës në SHBA cili do të jetë qëndrimi dhe udhëzimi i kryeministrit në grupin parlamentar për mënyrën se si do të votohet më 5 mars: pro, kundër apo me vullnet të lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos