Ndryshimi i nenit të pezullimit, Berisha: Akti më i rëndë i Ramës, i mbylli dyert Shqipërisë për në BE

Nga Anesti Barjamemaj
16 Shkurt 2026, 16:04 | Politikë

Nismën ligjore të Edi Ramës për t’u dhënë mburojë ligjore ndaj pezullimit edhe anëtarëve të qeverisë, Sali Berisha e cilëson goditje e shtetit ligjor dhe mbrojtje e korrupsionit. Nga dyert e SPAK ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë, Berisha tha se me ndryshimet që po kërkohen t’i bëhen Kodit të Procedurës Penale, po preket e ardhmja e çdo shqiptari, pasi sipas tij Rama po i mbyll vendit dyert e integrimit europian.

“Ky është akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë, që Edi Rama guxon të marrë. Në sytë e botës, Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale dhe ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen”, tha ai.

Pas fjalimit në SPAK, Berisha doli para mediave edhe nga selia e PD-së. Duke cituar Komisionin e Venecias, lideri opozitar tha se pezullimi është një procedurë tërësisht ligjore dhe nuk bie ndesh me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve. “Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë. Pra, pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend”.

Çështja e pezullimit të një ministri po diskutohet prej muajsh, të cilës nuk I dha përgjigje as Gjykata Kushtetuese, por sipas Berishës gjyqtarët janë përballur me presione dhe kërcënime nga kryeministri për të marrë vendim në favor të tij. “U bëj thirrje autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, të hetojnë qëndrimin e tij kërcënues ndaj gjykatësve kushtetues. Të hetohen të gjitha telefonatat e tij të bëra edhe pas mesnate, kërcënimet e tmerrshme që u janë bërë gjyqtarëve që të votojnë për rrëzimin e anulimit”.

Kryetari i Partisë Demokratike premtoi vijimin e betejës, jo vetëm në institucione por edhe në rrugë. Teksa u bëri thirrje qytetarëve për ta mbështetur në protestën e 20 Shkurtit, ai tha se ndërkombëtarët janë në krah të opozitës dhe kanë braktisur Ramën. “Nuk mund të kishte reagim më emergjent dhe të fuqishëm, se sa Edi Rama të thirrej nga numri 1 i BE-së dhe t’i nxirrej kartoni i kuq”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos