
Kryedemokrati Sali Berisha e konsideroi një kusht për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, raporton A2CNN. Në deklaratën e tij për mediat kreu i PD-së theksoi se amendamentet që kërkon të sjellë Rama vijnë pas kartonit të zi që sipas tij i kanë nxjerrë kryeministrit të Shqipërisë në Bruksel.
“Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit më të rrezikshëm në të cilit ndodhet Shqipëria në tërë kohërat e saj. Dorëheqja dhe vetëm dorëheqja e këtij armiku të rrezikshëm të paqes, stabilitetit, qenies, rendit, sigurisë së shqiptarëve, është kushti më themelor për zgjidhjen e kësaj krize që po përpin vendin çdo ditë e më shumë. Edi Rama, për të mbrojtur krimet e tij monstruoze, për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, po kalon në veprimtari të tjera, në asgjësimin e sistemit të drejtësisë, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur veten e tij dhe bandën e tij plaçkitëse qeveri. Amendamentet që kërkon të sjellë pas reagimit të fuqishëm dhe kartonit të zi që i nxorën në Bruksel, janë amendamente që kanë si qëllim kryesor të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale”, tha Berisha.
“Pezullimi i zyrtarëve nga detyra për keqbërjen e tyre ndaj qytetarëve, është një nen, është një ligj, është një e drejtë ligjore kushtetuese e prokurorisë, e institucionit të akuzës të çdo vendi. Është një e drejtë që ligjvënësit u kanë njohur prokurorëve dhe gjykatësve për të mbrojtur interesat e qytetarëve nga keqbërësit zyrtarë të lartë. Është një e drejtë e institucionit të akuzës dhe gjykatave, e sanksionuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias për Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konkretisht nenit korrespondues të nenit 224 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë. Pra, pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend. Nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur. Pezullimi, përkundrazi synon mbrojtjen e institucioneve, mbrojtjen e legjitimitetit të tyre, integritetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin”, vijoi kryedemokrati. (A2 Televizion)