Berisha me të moshuarit në Elbasan: Mosrritja e pensioneve, krim. Rama vetëm vjedh

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2024, 19:05 | Politikë

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për një “krim” ndaj pensionistëve, duke theksuar se pensionet nuk janë rritur dhe se kjo ka sjellë varfërimin e mëtejshëm të kësaj shtrese. Ai iu drejtua me tone të ashpra qeverisë për përpjekjet për të hedhur fajin tek biznesmenët, ndërkohë që thekson se qeveria ka mbledhur 8.2 miliardë euro nga bizneset, por nuk ka investuar në pensione.

“Edi Rama, duke njohur krimin që ka bërë ndaj pensionistëve, ndërmori vallen e pashpirtësisë, ndërmori një seri takimesh një muaj e gjysmë se si t’i mashtronte këta njerëz. Se si e si fajin e kanë biznesmenët. Po pse e paskan biznesmenët fajin, kur kryeministri ka mbledhur prej tyre 8.2 miliardë euro. 8.2 miliardë euro të dashur miq janë dy buxhete të vitit 2008. Ç’faj paskan biznesmenët këtu? Për të bërë atë që pensionistët të shohin me urrejtje biznesmenët dhe të besojnë se këta janë fajtorë dhe jo qeveria.

Cinike! Fajin e ka ajo që trashëguam dhe ajo që trashëguam është kjo. E di çdo pensionist, gjetëm pensionin minimal 36 euro, e rritëm në 82 euro. Gjetëm pensionin mesatar 70 euro, e rritëm në 105 euro”, tha Berisha.

Berisha përmendi rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë dhe krahasimin me çmimet në vendet e BE-së, duke thënë se pensionistët shqiptarë marrin më pak se ata në vendet e rajonit. Ai theksoi se Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia ofrojnë pensione shumë më të larta se Shqipëria, duke argumentuar se kjo është një padrejtësi dhe një “krim i rëndë” që nuk rriten pensionet në Shqipëri.

“Çfarë pëson Shqipëria nëse vendos qeveria të kalojë 800 milionë fondin e pensioneve? Ua them ju pse nuk bëhet kjo, sepse për ju, për pensionistët kanë lënë 16 milionë euro, kanë parashikuar për vitin tjetër 17 milionë euro. Ku shkojnë këto? Këto vidhen në mënyrën më të pamëshirë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos