“Uragani më i fuqishëm”, Berisha: Protesta ishte paqësore, policia përdori dhunë

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 19:06 | Politikë

“Uragani më i fuqishëm, kështu e cilësoi Sali Berisha protestën e 17 Prillit. Në një bashkëbisedim me qytetarët në mediat sociale, lideri demokrat tha se qeveria është tmerruar nga tubimi i opozitës, por akuzoi policinë për dhunë ndaj protuestuesve, që, sipas tij, ishin paqësorë. 

“Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës”, tha Berisha, shkruan A2.

Përdorimin e sprajit ndaj protestuesve dhe deputetëve, Berisha e konsideron krim: “Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve”.

Lideri demokrat pohoi se protestat e opozitës do të vijojnë, ku la të hapur sërish skenarin se mund të ketë ngujim në shesh apo Parlament: “Kjo është një nga format më të shkëlqyera që ti sugjeron. U siguroj se në këtë betejë ne do konsiderojmë të gjitha format e protestave”.

Berisha paralajmëroi padi penale ndaj policisë për përdorimin e dhunës ndaj protuestuesve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos