Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje para mediave, deklaroi se nesër do informojë edhe njëherë "se nuk ka mbetur dokument ndërkombëtar për zgjedhjet e lira, që nuk është dhunuar".
"Farsa elektorale 11 maj 2025 ka pasur një nga faqet më të shëmtuara, historitë më të turpshme, votën e diasporës apo qëndrimin kriminal të narkomazhorancës ndaj votës së diasporës. Kjo votë ka pësuar manipulimin më masiv, më të paskrupullt, më të hapur. Mishmashi që shpalli Edi Rama me votat e diasporës në Greqi është akti më kriminal i manipulimit të votave ndonjëherë. Por theksoj se ky mishmash, sipas të dhënave tona, nuk ka ndodhur vetëm në Greqi, ka ndodhur edhe në Itali dhe ndonjë vend tjetër. Për t’u realizuar ky mishmash, DHL me urdhër të qeverisë ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me PS-në. Ndonëse kontrata parashikonte se asnjë lloj nënkontraktimi nuk mund të bëhej. DHL u pranua nga ne për shkak të reputacionit të saj, por segmenti shqiptar i DHL-së funksionoi krejtësisht sipas urdhrave, porosive të qeverisë dhe të Edi Ramës. Zarfet, votat, nuk u mbushën nga qytetarët e regjistruar, por ato në mijëra, mijëra, mijëra prej tyre u plotësuan nga patronazhistët, të dërguar nga Tirana, nga punonjës apo ish-punonjës të ambasadave dhe solli një manipulim të dalë jashtë kontrolli", tha Berisha, shkruan A2.
"Kjo është fytyra e vërtetë e votës së diasporës. Mund të sjellim shembuj të panumërt, por sollën disa prej tyre që faktojnë se duart e zeza të krimit u shtrinë veçanërisht në Greqi dhe Itali mbi votën e qytetarëve tanë që votonin për herë të parë për vendin e tyre, për njeriun që donin. Edhe njëherë këtu nuk shtohet asgjë, përveçse një faqe e zezë tjetër e farsës elektorale të vitit 2025, në të cilën unë nesër do t’u informoj edhe njëherë se nuk ka mbetur dokument ndërkombëtar për zgjedhjet e lira, që nuk është dhunuar. Nesër unë do u paraqes listën e plotë të të gjitha dokumenteve të dhunuara barbarisht nga narkoshteti dhe narkonomenklatura e Shqipërisë në këto zgjedhje", shtoi Berisha. (A2 Televizion)