Partia Demokratike ka dërguar një letër në Departamentin Amerikan të Shtetit, për të kundërshtuar zgjedhjet e 11 majit. Letra është dërguar përmes kompanisë së lobimit Continental Strategy dhe mban datën 16 maj.
Në qendër të akuzave qëndron përfshirja e grupeve kriminale në procesin zgjedhor. “Në 10 nga 12 qarqe të vendit, banda të njohura si grupi “Xhabafti” dhe klani “Bajri” thuhet se kanë vepruar për llogari të Partisë Socialiste, nën koordinimin e drejtpërdrejtë nga Kryeministria”, thuhet në raport.

PD akuzon gjithashtu se gjatë fushatës janë përdorur miliona euro nga buxheti i shtetit për qëllime elektorale. “Janë shpërndarë bonuse për pensionistët, janë dhënë licenca për kultivim kanabisi dhe janë punësuar mijëra persona në administratë në këmbim të votës. Për më tepër, ndalimi i TikTok-ut dhe kapja e mediave përmenden si mjete për të shtypur zërat kritikë dhe për të manipuluar opinionin publik”, thuhet në raport.
1. Rreth 70 milionë euro shpërndarë si bonuse për pensionistët gjatë fushatës.
2. 138 licenca për kultivim kanabisi dhënë në këmbim të besnikërisë politike.
3. Punësimi i 10 mijë personave në administratë para zgjedhjeve.
4. Amnisti fiskale 200 milionë euro, 48 orë para ditës së votimit.
Nga letra e dërguar nga PD në DASH
Një tjetër shqetësim i PD është përdorimi i një rrjeti patronazhistësh dhe rikthimi i ish-agjentëve të Sigurimit për të monitoruar votuesit dhe për të ushtruar presion.
“Partia Demokratike kërkon hetim ndërkombëtar, ngritjen e një qeverie teknike dhe mbështetje për media të lirë. Raporti mbështetet edhe nga gjetjet e OSBE/ODIHR, të cilat evidentojnë abuzimin me burimet shtetërore, intimidimin e votuesve dhe përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje”, thotë PD.
1. Hetim ndërkombëtar për zgjedhjet.
2. Qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
3. Liri mediatike dhe pluralizëm informacioni.
4. Vazhdim i monitorimit ndërkombëtar dhe angazhim për ruajtjen e demokracisë në Shqipëri.
Kërkesat drejtuar komunitetit ndërkombëtar (A2 Televizion)