Kandidati i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, është shprehur se ky kod zgjedhor ka penalizuar kandidatët që dalin nga listat e hapura, duke bërë që vetëm një pjesë e vogël prej tyre të dalin nga një garë e ndershme, pasi pjesa tjetër i përkasin listës së mbyllur.
Komentet Kalaja i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se ai personalisht është për një sistem maxhoritar.
“Unë gjykoj që do isha për një listë më të kompozuar, me emra të rinj, me prurje të reja. Faktikisht ajo që ka prodhuar i gjithë ky kod zgjedhor është një shëmti e madhe, për shkak se 3-4 janë emra që vijnë nga lista e hapur. Është çmenduri domethënë, që gjithë kjo luftë të bëhet për këtë gjë. Pjesa tjetër janë rrogëtarë, njerëz që do të marrin rrogën. Mua më duket shumë e rëndë kjo që po ndodh me demokracinë në Shqipëri. Jo vetëm te PD, por në tërësi. Kam qenë kundër kodit zgjedhor. Unë personalisht jam për sistem maxhoritar”, tha Kalaja, shkruan A2 CNN
Ndërkohë analisti Ervis Iljazaj i është përgjigjur pretendimit të Kalasë për një sistem maxhoritar, duke i thënë se me atë sistem dhe rezultatin aktual, PS do të merrte 100 mandate.
“Mos Aulon me PS me këtë rezultat që mori shkon 100 mandate”, tha Iljazaj. (A2 Televizion)