Berisha nga Belgjika: I paraqitëm parlamentit federal gjendjen e Shqipërisë

Nga A2 CNN
19 Mars 2026, 14:59 | Politikë

Berisha nga Belgjika: I paraqitëm parlamentit federal gjendjen e

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka zhvilluar një seri takimesh në Parlamentin Federal të Belgjikës, ku, sipas tij, janë paraqitur shqetësimet kryesore për situatën politike në Shqipëri.

Berisha bëri të ditur se gjatë vizitës në Bruksel është takuar me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm dhe anëtarë të këtij komisioni, ku ka ngritur çështjen e asaj që ai e cilësoi si krizë të thellë në vend.

Sipas tij, në fokus të diskutimeve kanë qenë përqendrimi i pushteteve “në dorën e një personi të vetëm”, deformimi i procesit zgjedhor, si dhe rreziku nga krimi i organizuar dhe trafiku i drogës.

Ai gjithashtu ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ligjore, duke përmendur edhe çështje që, sipas tij, janë trajtuar në media ndërkombëtare, raporton A2CNN.

“Erdhëm këtu në parlamentin federal dhe u takuam me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm të parlamentit dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ku paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron Shqipërinë me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale”.

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar për integrimin europian të Shqipërisë, duke e konsideruar respektimin e shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si kushte thelbësore.

I pyetur nëse është paraqitur kërkesa për një qeveri teknike, Berisha u përgjigj se kjo është shtruar si zgjidhja e vetme për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke akuzuar qeverinë aktuale për zhvillim të proceseve elektorale jo të rregullta.

“Sigurisht që e shpalosëm dhe e paraqitëm atë si mundësia e vetme që shqiptarët të mund të votojnë në zgjedhje të lira sepse qeveria aktuale zhvillon farsë dhe nuk bën zgjedhje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos