Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u prononcua për mediat dhe, përpos miratimit të projektligjit për një agjenci autonome, që sipas saj siguron transparencë dhe meritokraci për shërbimet e ofruara, ajo u pyet edhe në lidhje me jetëgjatësinë e saj në qeverinë socialiste.
“Rezultatet janë ato që maten dhe që vlerësohen çdo katër vjet, qoftë nëpërmjet instrumentit demokratik të votës, qoftë nëpërmjet analizave që ne bëjmë si skuadër e mazhorancës”.
Ministrja nuk e cilësoi si diçka negative ndryshimin e pozicionit qeveritar dhe theksoi se ajo që qëndron mbi rolin e personave të veçantë është vetë mazhoranca politike.
“Nuk është ministri që qëndron, por mazhoranca politike, është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe lidershipi i kryetarit të saj, Edi Rama. Ne jemi të gjithë pjesë e një skuadre dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në role dhe detyra të caktuara”. (A2 Televizion)