
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se projekti për Portin e Durrësit përbën aferën më të madhe korruptive që ka sot Europa. Në një takim me përfaqësues dhe ekspertë në Durrës, Berisha u shpreh se vlera e portit arrin deri në 4 miliardë euro, teksa theksoi rëndësinë strategjike që ka pasur ndër vite për ekonominë dhe lidhjen e Shqipërisë me Perëndimin.
“Çështja që ne shtrojmë sot është për momentin afera më e madhe korruptive që Europa ka në tryezë. Kjo aferë shkon të paktën, të marrë së bashku përvetësimin e pasurisë publike, nga të gjitha pasuritë publike që kanë shqiptarët sot, numri një është porti i Durrësit. Pas portit vjen kaskada. Porti me trojet dhe të gjitha është pasuria publike më e madhe e cila shkon në 3.8- 4 miliardë euro. Edhe kaskada ka vlerën e vet, por porti e ka më të madhe. Është një investim mijëravjeçar, por që ka shërbyer si kryeurë e lidhjes së shqiptarëve me Perëndimin dhe ka qenë në pozicionin e tij jashtëzakonisht strategjik dhe një faktor shumë i rëndësishëm në çmimet, në transportin e leverdishëm, etj, etj”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se në vitin 2013 ishte parashikuar ndërtimi i një marine turistike në një zonë të përcaktuar. Berisha ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si është menaxhuar porti i peshkimit.
“Historia e këtij korrupsioni të përmasave të pakufishme është e tillë. Durrësi në vitin 2013, duhet ta dini ju të gjithë, kishte zonën e përcaktuar për marinën e vet. Durrësi donte një port marine, nuk diskutohet. Qytetit i mungonte porti i peshkimit, i mungonte një port marinë. Porti i peshkimit u ndërtua me paratë e Bankës Botërore, por pavarësisht se u ndërtua, atë e morën dy trafikantë të damkosur ndërkombëtare, një Naim Bej dhe ky Gjergji Luca. Këta e morën atë se donin detyrimisht të kishin eksesin e tyre në profesionin që ushtronin. Por marina ishte e përcaktuar me projekt, me tender, me të gjitha midis Currilave dhe hotel Vollgës”. (A2 Televizion)