Debat për “arrestin në burg” mes Muçollarit dhe Muharremit: Lajthisni shpesh ju të PS

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 22:34 | Politikë

Të ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari dhe këshilltari i PS, Alfred Muharremi u përfshinë në një debat në lidhje me nismën e Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës gjyqësore për masën “arrest në burg”.

Gjatë diskutimit në studio, Muharremi solli një shembull hipotetik për të argumentuar se jo çdo shkelje duhet të çojë automatikisht në burg, duke theksuar se duhet parë rasti konkret dhe proporcionaliteti i masës.

Muharremi: Më ke përballë mua, më fal po ta bëj më shembull. Ke mua përballë, lajthisa nga trutë nesër, bëra një gabim, bëra një kundërvajtje.

Muçollari: Lajthisni shpesh ju të PS.

Muharremi: Ja, bëra një kundërvajtje, jo penale, por rrugore. Kam ecur pa dashur, shtypa njeri, larg qoftë. Shiko, në qoftë se nuk ka pasur qëllim, nuk mund të më fusësh automatikisht në burg.

Muçollari: Kryetari yt dhe kryeministri i këtij vendi e ka përmendur fjalën “burg” më shumë se gjithë gardianët e republikës në këto vite qeverisje. Ka folur për burg për mospagesë, për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për vjedhje. Krimi i rëndë, po, ta fusim në burg.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën për të rishikuar një vendim unifikues të vitit 2011, me qëllim standardizimin e praktikës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, në përputhje me ndryshimet e Kodit Penal dhe praktikat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos