
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se deputeti Ervin Salianji ka organizuar një takim me Suel Çelën, duke theksuar se bashkëpunimi me krimin përbën “vijën e kuqe” të kësaj force politike.
Në konferencën me gazetarët kreu i selisë blu, u shpreh se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë kurrë kompromis me krimin, duke e cilësuar të papranueshme çdo formë bashkëpunimi me organizata kriminale apo kartele droge.
“Në të gjithë karrierën time politike dhe në ditët më të vështira, kurrë, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Dhe nëqoftëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht nga çmimi që ka patur, kam bindjen më të thellë se, ka qenë dhe është vendimi më i drejtë. Vija e kuqe e Sali Berishës është ndarëse, bashkëpunimi me krimin. Që një anëtar i kuoptuar i kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, të organizojë më Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e një prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim kjo është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, kushdo që ndërmerr veprime të tilla mban përgjegjësi personale dhe nuk mund të përfaqësojë Partinë Demokratike.
“Në këtë kontekst ai që ndërmerr një veprim të tillë, ai tejkalon vijën e kuqe dhe ai është përgjegjës për veten e tij. Nuk mund të pranoj kurrë, edhe njëherë asnjë formë bashkëpunimi me asnjë nga kartelet e drogës, as me organizatat kriminale”, vijoi kreu demokrat.
Berisha shtoi se ka disa informacione që tregojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit në fjalë dhe përshëndeti strukturat e PD-së në Elbasan që e bojkotuan atë.
“Përsa i përket takimit që thoni ju, kemi informacione, jo një por disa të cilat pohojnë se, Suel Çela ka qenë organizator në hije kryesor i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike të Elbasanit, strukturat e saj që e bojkotuan me neveri një takim të tillë. Pra kjo parti ka linjë absolute të kuqe, çdo formë bashkëpunimi me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës, kaq”, theksoi kreu demokrat.
(A2 Televizion)