Gjithçka nisi kështu në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. “Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj. As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar milionë euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë; që nga pushtimi osman, askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar. Në fund, më lejoni t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje jo vetëm e ripërtëritjes, por edhe e anti-vjedhjes!”, tha Skënderbeu “digjital”.
Sali Berisha u ngjit në podium. Gjatë fjalimit 60-minutësh kërkoi të dëshmonte forcën e një opozite që nuk u dorëzua. Nuk i shpëtoi as tundimit për të folur jo vetëm për heroin avatar. “Sigurisht që Skënderbeu të frymëzon më shumë se çdo gjë tjetër, sepse, po ta marrim këtë heroin tonë, të gjithë kombet kanë heronj. Por ky heroi ynë e ka një mesazh që nuk e ka asnjë komb tjetër. Mesazhi i tij është: edhe i vetëm, mos u dorëzo. Se ai fitonte betejat”, u shpreh kreu i PD.
Berisha riktheu "kilometrin e fundit", por të një maratone, siç e quajti ai, drejt pushtetit. “Në maratonë të gjithë e dinë se cila është pesha e kilometrit të fundit. Por nuk ka kilometër më frymëzues se ai. Kur ke arritur aty, në kilometrin e fundit, bota duket e jotja. Ndaj edhe ne, në këtë kilometër, do të ndërmarrim çdo vendim, çdo masë për ripërtëritjen e partisë”.
Katër vite më pas, mes miqsh ndërkombëtarë, Berisha bëri bilancin e asaj që e quan rezistencë ndaj “narkoshtetit”. “Sot nuk jemi më forca politike që lufton në mbrojtje. Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit drejt fitores. Kjo parti nuk blihet, nuk shitet dhe nuk mposhtet!”, tha ai.
Akuzat për narko-ekonominë ishin kryefjala e denoncimit. Por Berisha shkoi përtej, duke premtuar një revolucion ekonomik: rritje rrogash dhe pensionesh që synojnë ta nxjerrin Shqipërinë në krye të rajonit, duke u fokusuar te minimumi jetik dhe mbështetja për fermerët. “Minimumi jetik, dyfishimi dhe trefishimi i pensioneve janë zotimet tona. Ne do të dalim në krye të rajonit për rroga, sepse kemi qenë dhe dimë si ta bëjmë!”.
“Ripërtëritja” u shpall si misioni i ri. Berisha kërkoi një PD moderne, duke vënë theksin te roli i të rinjve dhe grave, si dhe te përdorimi i teknologjive si inteligjenca artificiale për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën brenda strukturave të partisë. “Mesazhi i këtij Kuvendi është: Ripërtëritje! Ky mesazh mbart në vete shpresën e pashuar të shqiptarëve. Shpresa është forcë, forca është shpresë! Fitore!”.
Me thirrjen për organizim në çdo seksion, Berisha mbylli punimet duke u dhënë delegatëve misionin për aksionin final. Sfida mbetet përkthimi i këtij entuziazmi në vota për zgjedhjet e ardhshme. (A2 Televizion)