
Tre do jenë drejtimet e protestës së opozitës, kryeministria, parlamenti dhe Surreli. Kështu u shpreh kreu demokrat, Sali Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetësve nga selia e PD-së, ku u kthye pas përfundimit të protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Kryeministria, ndërtesa e krimit ky kryehajdutë të paimagjinueshëm në histori mbrojnë njëri-tjetrin, firmosin me duart e tyre të zeza shkresa për të vjedhur qytetarët shqiptarë, mesazhe për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Parlamenti që asgjëson pluralizmin. Ky parlament është i ndërtuar mbi farsën elektorale dhe është pushtuar komplet nga Edi Rama. Kryeministria është sot ndërtesë krimi të shëmtuar, të gjithanshëm, dhe Surreli, siç e patë ju, del me aferat më të paimagjinueshme, me pengmarrje dhe gjëra të tilla. Surreli, pallati tjetër i krimit, sepse rrënjët e AKSHI-t janë në Surrel. Këto tre qendra do jenë në fokusin e popullit protestues” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për përfshirje në atë që e cilësoi si “aferën më të padëgjuar ndonjëherë në histori”, duke deklaruar se rrënjët e saj ndodhen në Surrel.
“Afera më e padëgjuar ndonjëherë në histori i ka rrënjët në Surrel. Gjithçka është bërë, mund të jenë zhdukur njerëzit, nuk e di, por tre herë janë marrë peng, kjo dihet. Unë dija vetëm një, këto kohë dolën që janë dy të tjerë. 700 milionë euro, çdo gjë për familjen, që Armandi të pasuronte familjen Rama. Atëherë ai është një pallat krimi atje. Nuk ka diskutim kjo”.
Sipas kreut demokrat bëhet fjalë për shuma të mëdha financiare dhe veprime të rënda, të cilat, siç tha, duhet të hetohen dhe zbardhen plotësisht. “Surreli është kthyer në një qendër simbol të aferave dhe të krimit”, deklaroi ai.
Berisha vlerësoi pjesëmarrjen në protestën e opozitës, dhe theksoi se ky mision do të përcaktojë fatin e Shqipërisë, demokracisë dhe fatin e familjes shqiptare.
“Në qoftë se në protestat e para 11 majit, ne u ngritëm për të shpëtuar PD-në, për të shpëtuar pluralizmin politik, tani ne jemi në këmbë për shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar demokracinë, për të shpëtuar familjen. Ky është misioni më i lartë, më sublim i jetës tonë. Ky është mision edhe më i lartë, edhe më i rëndësishëm se ai që përmbushëm në 90-ën. Ky është mision që do përcaktojë fatin e Shqipërisë, fatin e demokracisë në Shqipëri, fatin e familjes shqiptare. Ndaj dhe duhet të përulem para secilit prej jush, para të gjithë atyre që erdhën dhe të betohemi ta vazhdojmë këtë betejë gjer në fitore. Aksionin do ua informojmë për çdo hap, por u garantoj se ky aksion nuk ndalet më kurrë gjer në largimin e Edi Ramës”.
(A2 Televizion)