Nuk mori vendim për Ballukun, Berisha: Gjyqtarët u vetëposhtëruan, shkelën Kushtetutën

Nga Anesti Barjamemaj
4 Shkurt 2026, 14:54 | Politikë

Sali Berisha e konsideroi një akt të turpshëm marrjen e kohës nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur lidhur me padinë e Kryeministrit Edi Rama që kërkon të të interpretojë nëse SPAK mund të pezullojë nga detyra një ministër.

Një ditë pas tërheqjes së dytë për reflektim të anëtarëve të Kushtetueses, Berishën tha se mosmarrja e një vendimi në kohë është shkelmim i ligjit dhe i kushtetutës, ku sipas tij gjyqtarët janë duke zbatuar urdhrat e Edi Ramës.

“Ata po faktojnë para syve tuaj se janë shtrofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit. Këta e bëjnë Shqipërinë hore para gjithë botës me gjithë këto qëndrime. Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet horr, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Pasi e konsideron trupën kushtetuese një turp për vendin, kryetari i Partisë Demokratike shpresën për ndryshim e sheh te qytetarët dhe u bën thirrje për të reaguar.

“Këta mender-gjykatës një pjesë e tyre, turp-gjykatës një pjesë e tyre. Janë njerëz të zhveshur nga çdo moral njerëzor, nga çdo moral zyrtari. Janë njerëz që shkelmojnë mbi ju si larva qytetarë. Ju jeni shpresa e fundit dhe e vetme e këtij vendi, prandaj të vazhdojmë me vendosmërinë më”, shtoi Berisha.

Teksa nuk kurseu asnjë gjyqtar të Kushtetueses, kur erdhi puna të komentonte betejën mes Edi Ramës dhe shoqatës gjyqtarëve, lidhur me problemin e pagave, Berisha ndryshoi tonet dhe u dha të drejtë togave të zeza duke thënë se po kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit.

“Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre. Ndaj dhe ato të zeza që i bëri vendit Edi Rama, ato duhet t’i paguajë një minutë e më parë, të largohet”, tha Berisha.

Sipas Berishës ligji i piramidës së pagave është votuar nga Kuvendi dhe duhet të zbatohet, pavarësisht se gjyqtarët mund të marrin më shumë para. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos