Gazetari Bledian Koka, i ftuar në studion e “Off the Record”, deklaroi se “Edi Rama do ketë një goditje nga drejtësia brenda janarit dhe brenda marsit besoj që do duhet të shkohet së pari në qeveri teknike e cila duhet të bëjë çmontimin e bandave kriminale që kanë kapur shtetin dhe dosjet jo të Sali Berishës, por të SPAK-ut po e tregojnë këtë”.
“Sot problemi nuk është Sali Berisha. Sot nuk është problemi frymëzon apo s'frymëzon opozita. Se ne mund të bëjmë 1000 lloj analizash për të treguar se si qytetarët sot janë në presion për bukën e gojës. Po të marr një rast konkret për të kuptuar se në çfarë faze jemi. E patë dje atë replikën mes aktorit të mirënjohur Viktor Zhusti dhe zotit Lapaj. Po e heq Sali Berishën. Sali Berisha është i keq, është i vjetër dhe është arkaik. Marrim Adriatik Lapajn. Shkon një aktor 80-vjeçar i shquar, i sprovuar, super i njohur si Viktor Zhusti, bën një foto. Viktor Zhustit edhe sikur t'ia përdorte njeriu më i thjeshtë në botë, nuk mund të reagonte dhe çfarë bëri ai? Bëri një reagim dhe i tha "Mos ma përdor foton” dhe bëri dhe një replikë publike. Mos ma përdor foton sepse po më bën armik me njerëz. Pyetja është me çfarë njerëzish mund të bëhet armik një 80-vjeçar, për më tepër aktor i shquar i cili i ka dhënë pafund skenës dhe artit shqiptar dhe vetëm pse i publikoi një foto Adriatik Lapaj ai reagoi dhe u bë një zallamahi e madhe, a thua se Adriatik Lapaj e mori peng atë në mes të bulevardit dhe i tha “O do bësh foto me mua o s'ka”. Pra, këtu edhe me Adriatik Lapajn, njerëz të shquar të këtij vendi, që kanë edhe moshën e zotit Berisha kanë frikë ta bëjnë foton. Imagjino pastaj njerëzit që janë në administratë, njerëzit që kanë raporte dhe të presin aty, njerëz që e dinë fare mirë se si monitorohesh nga patronazhisti yt, se patronazhisti tashmë nuk është një thriller i Sali Berishës. Është një realitet konkret politik i cili është i shëmtuar”, tha Koka.
“Sot duhet të diskutojmë raportin e Edi Ramës me ndërkombëtarët dhe me shqiptarët. Këtu, pas rënies së bustit në ‘90 u bënë zgjedhjet dhe zgjedhjet e para pluraliste dhe i fitoi prapë Partia e Punës dhe u desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve që të rikthehej dhe të vendosej ajo që kërkonin të gjithë në 90-ën: pluralizmi. Unë mendoj që jemi fiks në të njëjtën situatë. Jemi sërish në vitin 1990, ku edhe pse shteti ka rënë, edhe pse dekadenca e këtij sistemi duket ashiqare, sërish sot po të bëhen zgjedhjet, fatkeqësisht këtu fiton Partia Socialiste për shkak të këtij sistemi endemik të kapjes, presionit dhe opresionit që bëhet mbi qytetarët, mbi biznesin dhe mbi administratën. Prandaj po e them si zgjidhet kjo gjë. Mendoj që kjo gjë zgjidhet dhe shumë shpejt do shkojë drejt kësaj që po them unë, që me shumë gjasë Edi Rama do ketë një goditje nga drejtësia brenda janarit dhe brenda marsit besoj që do duhet të shkohet së pari në qeveri teknike e cila duhet të bëjë çmontimin e bandave kriminale që kanë kapur shtetin dhe dosjet jo të Sali Berishës, por të SPAK-ut po e tregojnë këtë. Do duhet të çmontojë sistemin e poshtër të patronazhimit dhe pa diskutim do duhet të bëjë depolitizimin për aq sa është e mundur në Shqipëri të administratës publike që vetë raporti na tha se shteti dhe pushteti janë bërë një për hir të Partisë Socialiste”, shtoi Koka. (A2 Televizion)