Brukseli dritë jeshile për IBAR, në 26 maj Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Nga Fjorela Beleshi
21 Maj 2026, 19:00 | Politikë

U deshën 5 muaj që vendet anëtare të BE t’i japin dritën jeshile Shqipërisë, duke u dakordësuar për IBAR, Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve sa i përket grupit të kapitujve Themelorë. COELA, grupi teknik i BE që merret me negociatat, kaloi të enjten draftin e përbashkët të BE-së për kriteret që vendi ynë duhet të plotësojë në shtetin e së drejtës dhe funksionimin e demokracisë.

KËSHILLI I BE PËR A2CNN: "Drafti i qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së (bazuar në IBAR) sapo është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim të mëtejshëm nga shtetet anëtare. Hapi i radhës është kalimi i tij për miratim tek ambasadorët e BE-së në COREPER".

Raporti IBAR do të kalojë për miratim formal në takimin e ambasadorëve të BE-së në Bruksel pasditen e së premtes. Zyrtarizimi vjen më 26 maj në orën 19:30 përmes konferencës ndërqeveritare, ku pritet të marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama.

Për të majtët dhe të djathtët në Parlamentin e Shqipërisë ky është një lajm i mirë që duhet shfrytëzuar pozitivisht.

Por si e përkthen politika shqiptare propozimin e kancelarit gjerman Merz për integrimin gradual për Ballkanin Perëndimor.

Propozimet për metodën e integrimit nuk përjashtojnë Shqipërinë nga detyrimet që ka për sa i përket ligjeve që duhet të kalojnë në Kuvend, siç është “fjetja” në sirtar e p/ligjit të firmosur nga Edi Rama për të mos lejuar pezullimin e ministrave dhe Kryeministrit nga drejtësia. Shkak për këtë është mungesa e dritës jeshile nga KE.

Pas Konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE, vendit tonë i hapet udha për të vijuar me mbylljen e kapitujve, që sipas objektivit të qeverisë brenda 2026 do të finalizohen 10 prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos