"Kur garon Berisha është normale që të mos ketë rival", Baçi: Ambasadori i ri i SHBA kundër ndërhyrjeve të qeverisë në SPAK

Nga A2 CNN
21 Maj 2026, 18:39 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata në A2CNN se mungesa e kandidatëve përballë Sali Berisha në garën për drejtimin e PD-së është “mëse normale”, duke e cilësuar Berishën si lider “historik” dhe “të pakonkurrueshëm”. Deputeti demokrat shtoi se, sipas tij, brenda strukturave të PD-së nuk ka figura që mund të rivalizojnë Berishën.

 “Voton gjithë anëtarësia për zgjedhjen e kryetarit, kështu që opsionet janë aty, për të votuar po ose jo, dhe nuk pengon askush anëtarësinë për të shprehur vullnetin e tyre. Mos patja e një kandidati në garë është normal, unë e quaj mëse normal, kur garon Sali Berisha, lideri historik, i pakontestueshëm, i pakonkurrueshëm, për mendimin tim, nuk gjendej asnjë për të dalë. Të gjithë këta që kanë kërkuar, më vjen keq që duhet ta them, thjesht më shumë kanë bërë më shumë lajm, për t’u bërë publik për 2-3 apo 5 orë në media, sesa për ta patur seriozisht se mund të garonin dhe konkurronin Sali Berishën. Nuk bëj dallim për asnjë dhe flas në përgjithësi për çdo kandidat që ka kërkuar, por më lejoni të them për çfarë shikoj unë te PD, te grupi parlamentar, te Kryesia, askush s’është i denjë në kuptimin që të jetë garues përballë Berishës. E dinë që përballë Berishës nuk fitojnë dhe nuk dalin, sepse e dinë që nuk fitojnë. Nuk ka ndonjë problematikë, është një normalitet i një partie si PD, aq më tepër kur në krye është lideri historik, që ka treguar me prova dhe fakte që udhëheqësia e tij është e pakonkurrueshme”, tha deputeti i PD. 

Baçi komentoi edhe deklaratat e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri në lidhje me SPAK-un. Sipas Baçit alarmi ishte që SPAK duhet të qëndrojë apolitik dhe larg presioneve që bën qeveria Rama.

 “Për herë të parë një ambasador flet shumë shqip, luftën kundër drogës, krimit, korrupsionit, dhe qëndrimit pro drejtësisë së reformuar dhe jashtë ndikimeve politike, dhe këtu aludohet për ndërhyrjet që bën Rama. Alarmi që thotë që SPAK duhet të qëndrojë apolitik ka shkuar nga ndërhyrjet dhe presionet që bën qeveria, se s’besoj se opozita e tremb SPAK-un dhe gjyqësorin”, vijoi Baçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos