“Burgu, shkollë për mua” Meta rrëfim nga qelia: Rama ma punoi pas shpine me Reformën në Drejtësi

Nga A2 CNN
20 Maj 2026, 22:47 | Politikë

“Burgu, shkollë për mua” Meta rrëfim nga qelia: Rama

Ish-presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë ekskluzive nga qelia e paraburgimit për emisionin “Off the Record” në A2 CNN me gazetarin Andrea Danglli, ku ka folur për jetën në burg, përplasjet politike me Edi Ramën, Reformën në Drejtësi, SPAK-un, opozitën dhe akuzat ndaj tij.

Meta u shpreh se është i pafajshëm, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ish-kreut të PD-së Lulzim Basha dhe institucioneve të drejtësisë.

“U luajt lojë e madhe”, Meta për Reformën në Drejtësi: Shpresoj që SPAK-u të kthehet në rrugën e Zotit!

Meta akuzoi ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha, se me “lojërat e tij” dhe ndihmën e ish-zyrtarit amerikan Charles McGonigal, ia dha Reformën në Drejtësi Edi Ramës.

“Nuk është se nuk e kam pritur mënyrën e arrestimit. Unë kam qenë i ndërgjegjshëm për këtë grusht shteti, që të bëhen ligje mbi Kushtetutën.

S’është faji i 140 votave, problemi është te ligjet antikushtetuese. Ato 140 vota i bëri vetëm Ilir Meta dhe këtë e ka pranuar edhe ambasadori Lu.

Ishte një lojë e madhe që të mos miratohej reforma me konsensus, por të shfrytëzohej si një moment për të përçarë PD-në”, u shpreh Meta.

“Rama ka qenë qengj i urtë. Ai është akrep, unë shqiponjë”

Meta foli edhe për raportin e tij me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se e njeh prej vitesh dhe se ndryshimi i tij erdhi pasi mori pushtetin e plotë.

Unë e njoh z. Rama. Rama ka qenë shumë i urtë kur ka qenë ministër, kur ka qenë vartës, madje edhe kur ka qenë kryeministër në koalicion. Ai vinte çdo ditë në orën 10:00 te Parlamenti. Derisa korruptoi Lulin dhe i mori të gjitha pushtetet, duke nxjerrë fytyrën e vërtetë”, deklaroi Meta.

“30-vjeçarët e opozitës të jenë dy herë më aktivë se Berisha!”

Ish-presidenti theksoi se të rinjtë e opozitës duhet të jenë më aktivë në përballjen politike me qeverinë.

Duhet të jenë të gjithë si Klevis Balliu në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë të gjithë si Tedi Blushi në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë dy herë më aktivë këta 30-vjeçarët se Sali Berisha”, tha Meta.

Ai përmendi edhe Adriana Kalaja si shembull të opozitarizmit për kallëzimet e saj të vazhdueshme në SPAK.

“Çfarë do t’i thuash Ramës kur ta takosh përballë?”, Meta rrëfim nga burgu

I pyetur se çfarë do t’i thoshte Ramës nëse do ta takonte përballë, Meta tha se nuk shmanget nga askush dhe se ndihet “ballëhapur” përpara qytetarëve.

Unë dal përballë cilitdo dhe as nuk e ndërroj rrugën, as nuk i ul sytë. Përpara shqiptarëve do të jem gjithmonë ballëhapur sepse kam mbrojtur interesin kombëtar dhe demokracia për mua është interes kombëtar”, deklaroi ai.

“Jam i pafajshëm. Më thoni një akuzë?!”

Meta deklaroi se nuk mban përgjegjësi penale për bashkëpunëtorët e tij dhe se përgjegjësia është individuale.

“Unë jam i pafajshëm, jo thjesht se e deklaroj. Më thoni një faj timin, një episod, një akuzë dhe t’ju jap përgjigje”, tha ai.

I pyetur për bashkëpunëtorët e tij, Meta shtoi:

“Nuk ndaj asnjë mendim lidhur me përgjegjësinë ligjore apo penale për askënd, vetëm për Ilir Metën.

“Ja çfarë i kërkova Klodian Brahos”

Meta foli edhe për letrën që i ka dërguar kreut të SPAK-ut Klodian Braho, duke sqaruar se nuk e ka akuzuar për fshehje provash.

“Letra ime është publike dhe shumë korrekte. I është drejtuar atij jo për ta akuzuar për fshehje provash, sepse ai nuk është prokuror i çështjes sime”, tha Meta.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos