Një ditë pas publikimit të kësaj videoje që tregon sherrin e anëtarëve të Partisë Demokratike në Kamëz me numrin dy të selisë blu, Flamur Nokën, kryetari Sali Berisha pranon se brenda radhëve të demokratëve debati tashmë ka nisur.
Ndonëse pa iu referuar asaj që ndodhi në mbledhjen e kryesisë së zgjeruar në Kamëz, por nga informacionet që i vijnë nga zyrtarë të ndryshëm në PD, Berisha pohoi se demokratët në bazë nuk po presin më analizën e vonuar të 11 Majit dhe tashmë debati i brendshëm ka nisur.
“Unë garantoj dhe ka filluar debati në bazë, janë krijuar grupet e punës, është formuluar udhëzuesi dhe mbi bazën e tij në të gjithë PD-në do të bëhet një diskutim me synimin më kryesor të një forcimi të kësaj partie për betejën vendimtare kundër narkoregjimit tani”, tha Berisha, shkruan A2.
Lideri demokrat përsëriti edhe njëherë premtimin se do të nisë takimet me bazën e partisë, por sërish nuk tregoi një datë se kur do të ndodhë shtrëngimi i duarve me demokratët: “Jam plotësisht i vetëdijshëm se demokratët e presin këtë, por tek demokratët shkohet tani me ato që thashë. I garantoj anëtarët dhe mbështetësit e PD se ne do të angazhohemi në një proces të fuqishëm ringritje për betejën vendimtare kundër narkoshtetit”.
Kryefjalë të konferencës për shtyp kishte ankimin e Kryeministrit Rama në Kushtetuese pas vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë, duke mbrojtur përsëri si të ligjshme kërkesën e prokurorëve të SPAK që u konfirmua nga GJKKO.
Lideri demokrat pohoi se pezullimi nga detyra është masë sigurie tërësisht ligjore dhe se ministrat nuk gëzojnë imunitet si deputetët. Ai solli një sërë shembujsh nga vendet europiane ku ministra të ndryshëm janë pezulluar gjatë hetimeve. (A2 Televizion)