Dëgjesa për Reformën Territoriale, kryebashkiakët e majtë kërkojnë mosndryshim të numrit të bashkive

Nga Arestina Skënderi
13 Maj 2026, 23:37 | Politikë

Kryebashkiakët e majtë në dëgjesën e Komisionit për Reformën Territoriale kërkuan që të mos ndryshohet numri aktual i bashkive dhe të rriten kompetencat e pushtetit vendor. Ata theksuan nevojën për autonomi më të madhe financiare dhe ndarje më të qarta funksionesh për përmirësimin e shërbimeve. Në dëgjesë morën pjesë përfaqësues nga Qarku i Elbasanit, Kukësit dhe bashkitë e Durrësit. 

Në unison, të gjithë kryebashkiakët e majtë në dëgjesën në Komisionin për Reformën Territoriale kërkuan që të mos ndryshohet numri aktual i bashkive, ndërsa kërkuan shtim kompetencash për pushtetin vendor, në mënyrë që shërbimet të jenë më efikase.

Të parët që u dëgjuan ishin ata të Qarkut të Elbasanit. Vetë kryetari i Elbasanit dhe ai i Gramshit nuk ishin të pranishëm në takim për shkak të angazhimeve jashtë vendit, ndërsa të pranishëm ishin Arif Tafani, kryetar i Bashkisë Belsh, Nuri Belba, kryetar i Bashkisë Përrenjas, Bukurosh Maçi, kryetar i Bashkisë Peqin dhe Florenc Doka, kryetar i Bashkisë Cërrik.

Në të njëjtën linjë mendimi ishin edhe kryetarët e bashkive të Tropojës, Kukësit dhe i Hasit, bashki e cila drejtohet nga të djathtët, shkruan A2.

Nga Bashkia Durrës, kryebashkiakja Emiriana Sako kërkoi që të mos i drejtoheshin pyetje në lidhje me numrin që duhet të kenë bashkitë në hartë, pasi, sipas saj, këtë e vendosin ekspertët, ndërsa të njëjtin mendim ndanin edhe kryetarët e Shijakut dhe Krujës.

Të gjithë në një zë kërkuan që të ketë ndarje më të qarta funksionesh mes pushtetit qendror dhe atij vendor për efikasitet në shërbime. Por, Sako theksoi që të mos harrohen edhe financat.

Bashkëdrejtuesit e Komisionit për Reformën Territoriale theksuan se do të ketë dëgjesa edhe me shoqatat e bashkive, që edhe ato të sjellin në mënyrë të detajuar propozimet e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos