Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, duke folur në lidhje me reformën territoriale, tregoi një rast kur “Diaspora e Hasit”, siç e quajti ai, i kishte shprehur shqetësimet në lidhje me qytetin e tyre.
I ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, ai u shpreh se diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe vijon të mbetet e lidhur ngushtë me vendlindjen dhe të shqetësohet për zhvillimet në Shqipëri, përfshirë edhe reformën territoriale.
“Ajo që më bëri përshtypje është reflektimi i ngushtësisë së marrëdhënieve që kemi. Keni një grup biznesmenësh të mirëthemeluar në Mbretërinë e Bashkuar, nuk po flasim për biznese të mëdha, por për biznese familjare të suksesshme, dhe ata janë ende të shqetësuar për vendin e tyre.
Më kërkojnë që të jem në kontakt me qeverinë shqiptare dhe të përfaqësoj shqetësimet e tyre. Kjo tregon interesin e diasporës për të ardhmen e Shqipërisë,” u shpreh Abbott. (A2 Televizion)