Ministri i drejtësisë, Toni Gogu nuk ka pranuar të japë shumë informacion mbi veprat penale që pritet të përfshihen nga amnistia, duke deklaruar se do të jenë objekt diskutimi në komisionin përkatës parlamentar. Por Gogu ka qenë kategorik për dy vepra penale që nuk do të përfshihen sipas tij në amnistinë e ardhshme.
“Detajet për amnistinë do t’i ndiqni në ditët në vijim sepse do të jetë diskutim i gjithanshëm në komisionin parlamentar, por ajo çfarë mund t’u them është ato vepra që nuk do të nuk do të përfitojnë dhe ato subjekte që nuk do të përfitojnë që janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Pra amnistia është një instrument i politikës penale e cila në radhë të parë ka një fytyrë njerëzore”, tha ministri, përcjell A2 CNN.
Këto deklarata ministri Gogu i ka bërë pas një vizite në institucionin e vuajtjes së dënimit të grave në Pojskë, ku nënave që vuajnë dënimin u është mundësuar takimi me fëmijët e tyre me rastin e një qershorit. Dhe sipas ministrit të Drejtësisë, drejtësia duhet të tregojë të dyja fytyrat, edhe ndëshkimin edhe rehabilitimin.
“Besoj fort se drejtësia duhet të jetë e pranishme jo vetëm përmes ndëshkimit edhe dënimit, por edhe përmes rehabilitimit. Dhe të dëshmoja sot që për dashurinë mëmësore, për familjen, nuk ka ndarje dhe nuk ka mur, besoj që ishte gjëja më e mirë që mund t'i bëja vetes në rolin e ministrit, por edhe Ministrisë së Drejtësisë për të kuptuar se si mundet ta fuqizojmë këtë rol, se si mundet të vazhdojmë dhe të kthejmë jetë të cilat nevojitet të rikthehen në jetën e përditshme me dinjitetin e restauruar dhe gjithashtu dhe me një rol të ri në familjet e tyre”, shtoi ai.
Ministri u shpreh gjithashtu se po vlerësohen edhe raportet e Avokatit të Popullit mbi gjendjen dhe trajtimin e të burgosurve në mënyrë që të arrihet në një drejtpeshim mes vuajtjes së dënimit dhe respektimit të të drejtave të burgosurve. (A2 Televizion)