Sekretari për çështjet ligjore i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, komentoi ripërtëritjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie.
“Të rinj e të reja, gra dhe vajza që përbëjnë pothuajse 60% të Këshillit, që është organi më i lartë drejtues i demokratëve. U pa që nuk ishte thjesht një slogan “Ripërtëritja”, por ishte përpjekje serioze për një rinovim për qarkullim elitash brenda PD-së. Kjo i shërben energjizimit të aktivitetit politik, ky ka qenë qëllimi të paktën nga organet drejtuese”, tha Kaso në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
“Të gjitha proceset i kemi me votë, e kemi detyrim statutor. Edhe kur ishim në agresionin më të madh nga kundërshtari politik, pas shpalljes non grata të Sali Berishës me investim të Edi Ramës, kur na u mor vula dhe sigla, ne i kemi bërë këto procese. Kështu që, per ne janë procese të natyrshme nga të cilat nuk heqim dorë”, shtoi Kaso.
Kur u pyet cilat janë risitë kryesore që sjell statuti i ri dhe si funksionon Partia Demokratike tani me këto ndryshime, Kaso u përgjigj: “Risia kryesore e statutit, le të themi, përveç rritjes së kuotës mbrojtëse për gratë dhe vajzat dhe për të rinjtë e të rejat, të cilët përfitonin prej kuotave në Partinë Demokratike, por tashmë kemi shkuar tej asaj që është edhe minimumi i parashikimit që garanton ligji zgjedhor. Pra, nëqoftëse ligji zgjedhor e garanton 30%, neve jo vetëm e adoptuam masën 40% të përfaqësimit, por edhe e bëmë realitet në përzgjedhjen e organit më të lartë drejtues dhe një vend të veçantë gjithashtu zuri çështja e diasporës, çka shkonte në një linjë me platformën për organizimin e strukturave në diasporë që ne e paraqitëm në Kuvend. Pra, krijuam Këshillin Kombëtar të Diasporës, një organ i cili mblidhet nën përgjegjësinë e kryetarit të partisë të paktën një herë në vit dhe i cili ka aftësinë që të adoptojë vetë mekanizmat dhe format e organizimit të diasporës”. (A2 Televizion)