
Kryeministri Edi Rama tha se projekti i Zvërnecit do ta çonte Shqipërinë drejt turizmit elitar.
Kreu i qeverisë, në mbledhjen e grupit socialist, theksoi se deri tani është shfrytëzuar turizmi i masës për promovim, por kjo nuk sjell të ardhura.
“Pse duhet të shikojmë me zili Greqinë për Costa Navarino? Çfarë ishte? Zonë e mbrojtur. Me admirim e shikoj Greqinë, por me zili pse? Sveti Stefan në Malin e Zi? Po Kroacinë pse duhet ta shikojmë me zili? Duam të konkurrojmë ne me këta? Të rrimë te turizmi i masës me bukë me vete, që prodhon më shumë mbetje sesa të ardhura? Është zgjedhje që mund ta bëni, por me mua jo. Na është dashur se është turizmi i ambasadorëve, tani na duhet ambasadori i klasit që të na sjellë shumë para. Jo për mua, se unë jam informuar që sado të besosh në Zot, një ditë do të ikësh nga kjo botë, atje s’ka as ‘cash’, as karta krediti, as rroba, asgjë. E vetmja gjë që vlen është çfarë lë mbrapa për kujtim”, tha Rama, shkruan A2.
“Unë kujtim përfundimtar turizmin e masës nuk e lë dot si pjesë të misionit tim. Unë dua të lë gjëra që t’i bëjnë krenarë fëmijët tanë. Po pagat si do i rrisim ne më shumë? Na duhet ta rrisim PBB apo jo? Unë dua ta çojmë 35 miliardë deri në fund të dekadës”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)