Deputetët e PD do të hyjnë në grevë urie? Mziu nuk e mohon: Mund të jetë një rrugë për kthimin e standardeve demokratike

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2025, 21:49 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është shprehur se në protestën e opozitës ditën e hënë, nuk përjashtohet asnjë nga skenarët.

Komentet Mziu i bëri në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se nuk përjashtohet as skenari që deputetët e PD-së të futen në grevë urie, me qëllim kthimin e standardeve të demokracisë.

Teksa e cilësoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama si të korruptuar dhe të kapur nga krimi, Mziu theksoi se protestat e Partisë Demokratike mund të jenë të vazhdueshme, për të bërë të mundur arritjen e qëllimit.

“Unë sapo vij nga terreni dhe ka një javë që po alternojnë të gjitha degët e Partisë Demokratike ose bashkitë e qarkut Dibër, por njëherazi kam punuar edhe në Tiranë. Ka një angazhim maksimal jo vetëm në strukturat e PD-së, por edhe qytetarë të tjerë jashtë Partisë Demokratike që duan të marrin pjesë në këtë protestë, sepse vullneti i tyre është cënuar rëndë në zgjedhjet e 11 majit. Sepse raporti i ODIHR ishte raporti më i keq, më i keq edhe se ai i vitit 1991.

Do të përdoren të gjitha skenaret, duke filluar që nga protesta, deri te vazhdimi i protestave në mënyrë seriale, por nuk përjashtohet që unë dhe kolegët e mi deputetë të shkojmë deri në grevë urie, për ta kthyer standardin e demokracisë në Shqipëri, sepse është më i cënuar se asnjëherë tjetër”, tha mes të tjerash Mziu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos